Nuk ka fitues në “Fadil Vokrri”, Albert Dabiqaj i heq fitoren Prishtinës

05/11/2022 21:17

Tjetër barazim 2-2 për Prishtinën në kryeqytet. Ekipi i Ismet Munishit ngeci në “Fadil Vokrri” përballë Gjilanit, sfidë që ishte tepër e luftuar dhe plot emocione.

Arlind Shabani kaloi vendasit në avantazh në minutat e fundit të pjesës së parë (41’), por “Skifterat” evituan humbjen në fraksionin e dytë të takimit.

Albert Dabiqaj gjeti golin e barazimit (57’), ndërkohë që Albin Prapashtica riktheu Prishtinën në avantazh gjashtë minuta më vonë falë një gjuajtjeje të fortë.

Gjilani nuk u pajtua me rezultatin dhe ishte sërish 26-vjeçari Dabiqaj ai që gjeti rrugën e rrjetës 16 minuta përpara fundit, duke i dhuruar një pikë me vlera skuadrës mike.

Dy ekipet ndajnë vendin e tretë me nga 23 pikë, por Gjilani ka luajtur një ndeshje më shumë se rekordmenët e futbollit dardan, kampionat që kryesohet nga Drita me katër pikë dhe tri ndeshje më shumë se Ballkani.

Top Channel