La Casa de Quiz/ Pyetja direkte bën diferencën, Erdo kualifikohet në gjysmëfinale

04/11/2022 22:26

La Casa de Quiz, emisioni i përjavshëm që transmetohet çdo javë në Sport News nën moderimin e Gjergji Stefës, po zhvillon fazën e saj të dytë, atë edhe më vendimtaren, teksa dy ditë para se të startojë Kupa e Botës Katar 2022 (20 nëntor-18 dhjetor), do të shpallet edhe fituesi i këtij GameShow.

Sa më shumë afrohemi drejt fundit, aq më të mëdha bëhen emocionet në La Casa de Quiz. Çifti i parafundit çerekfinalist ndërmjet Afrim Tufës dhe Erdo Dules, prodhoi fitues këtë të fundit që ia doli të avanconte më tej me shifrat 23-28.

Tufa kryesoi për pjesën më të madhe të përballjes, por në fund diferenca u bë nga pyetja direkte e lojtarëve ndaj njëri-tjetrit, në të cilën Dule mori avantazhin për të mos e shpërdoruar deri në fund.

Dule bëhet gjysmëfinalisti i tretë i quizit të famshëm sportiv, teksa në raundin tjetër e pret Iseldi Bala, një tjetër konkurrent i fortë që pak ditë më parë eliminoi Dorjan Terziun. 

Top Channel