Në 2021 shkuan dëm 615 milionë euro/ Raporti i KLSH: Buxheti i qeverisë nuk ishte realist

28/10/2022 15:02

Buxheti faktik i vitit 2021 është shqyrtuar nga Komisioni i Ekonomisë ku kanë raportuar përfaqësues të qeverisë, por edhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu.

Në raportin e performancës për buxhetin 2021 KLSH ka konstatuar rreth 615 milionë euro dëm ekonomik.

Rreth 19 miliardë lekë, apo gati 159 milionë euro llogaritet dëm i pastër ekonomik, ndërsa pjesa tjetër i përket efekte negative në buxhet si pasojë e parregullsive në të ardhura e shpenzime.

KLSH ngre shqetësimin e ndryshimeve të herëpashershëm të buxhetit, gati 6 herë përmes akteve normative vitin e kaluar. Kjo sipas institucionit auditues tregon se buxheti fillestar i qeverisë nuk ka qenë realist që ka kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme për të akomoduar nevojat për financime në vijim.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nga auditimet janë konstatuar shkelje të disiplinës si në performancën e administrimit të të ardhurave në zëra të caktuar, ashtu edhe në përdorimin joeficent të fondeve publike.

Sipas KLSH, shkeljet më të mëdha i përkasin ato në fushën e prokurimit publik, me mangësi të konstatuara në përgatitjen e kontratave, zbatimin e tyre, dorëzimin në kohë të punimeve apo shkelje të tjera në tendera.

Po ashtu, edhe përgjatë vitit 2021 KLSH ka konstatuar problematika me koncesionet në shëndetësi lidhur me pagesat e shërbimeve të pakryera duke sjellë një efekt negative për buxhetin e shtetit.

Përgjatë vitit të kaluar, KLSH ka përcjellë 14 kallëzime dhe indicie penale, ku 6 prej tyre në SPAK dhe 8 të tjera në Prokuroritë e rretheve për 62 zyrtarë të niveleve të ndryshme.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA