Albert Kuliçi, prokuror i Vlorës, nga sot do të jetë edhe anëtar i bordit të Shkollës së Magjistraturës.

Kuliçi u votua sot në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve. Ai garoi për këtë post, përballë prokurorëve Elona Alvaro dhe Arqilea Koça. Në përfundim të numërimit, rezultoi se nga numri total i votave, Albert Kuliçi kishte siguruar 100 vota ndërsa dy prokurorët e tjerë në garë respektivisht nga 20 dhe 76 vota.

Bordi i Shkollës së Magjistraturës përbëhet nga 17 anëtarë, ku në përzgjedhjen e tyre, vetëm 2 janë për shkak të pozicionit, një ndër to, prokurori Kuliçi.

Kush është Albert Kuliçi?
Kuliçi me origjinë nga Tropoja, vitet e fundit ka pasur në dorë dosje të bujshme në Vlorë. Kështu ai ka hetuar çështjet duke filluar nga skandali i madh i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte një biznesmen dhe 4 zyrtarë të administratës.
Prokurori ka hetuar edhe koncesionin e parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Kuliçi ka hetuar gjithashtu edhe një aferë në Albpetrol, si dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11 katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika.

Prokurori Albert Kuliçi ka filluar punë në vitin 2010 dhe punon prej vitesh në prokurorinë e Vlorës. Në dhjetor 2019, makina që ai përdorte u hodh në erë me eksploziv. Atentat, i cili u konsiderua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si sulm për shkak të funksionit.

Albert Kuliçi kaloi gjithashtu me sukses procesin e vettingut, duke u konfirmuar në detyrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA