Java e dytë e këtij viti akademik ka nisur sërish me protesta nga pedagogët të cilët kërkojnë përmirësim të kushteve dhe rrije page, por Ministrja e Arsimit Evis Kushi pohon se mësimi vijon normalisht.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi sot vizitoi Universitetin e Arteve, ku u prit nga Prof. Dr. Kastriot Çaushi, i cili tha se fillimi i këtij viti akademik ka qenë krejt normal.
Gjatë fjalës së saj me studentët dhe stafin akademik ministrja theksoi se java e parë e vitit akademik gjithmonë nis me disa procese, përveç procesit mësimor ka edhe procese si regjistrimi, ndarja nëpër klasa, orari. Ajo tha se kjo javë e gjen universitetin më të stabilizuar dhe procesi mësimor i gjithë universitetit do të vijojë normalisht.
“Jemi duke punuar së bashku me ekipin drejtues, rektorin dhe një pjesë të dekanëve e pedagogëve që edhe ky universitet me statusin e veçantë të ketë disa aspekte më shumë për zhvillimin, autonominë, kualifikimin, dhe besoj këtë vit do të punojmë intensivisht që ta përfundojmë këtë proces,” – theksoi ministrja.
Mëngjesin e kësaj të hëne, pedagogët u mblodhën para Fakultetit Politeknik, ku përsëritën kërkesën e tyre kryesore, rritjen e pagave. Duket se pedagoget nuk dorëzohen përballë qeverisë, pasi që prej më shumë se një muaji, sindikata e universiteteve përsërit kërkesat e palëkundura për të kthyer dinjitetin e tyre me dyfishimin e pagave dhe investimin në kërkimin shkencor edhe kushtet infrastrukturore.
Top Channel