Në një moment kur tensionet me fqinjin lindor Turqinë, nuk duket të ulen, rëndësi të veçantë i jep Athina vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz në kryeqytetin grek ditën e mërkurë.

Sipas burimeve qeveritare lideri gjerman sjell me vete propozime për një paketë modernizimi të fregatave dhe tankeve të ushtrisë greke me vlerë nga 2-4 miliard euro. Bëhet fjalë për modernizimin e tankeve Leopard që ka në arsenalin e saj ushtria greke, të rinovimit të fregatave të Marinës Greke, apo edhe blerjen e tankeve të reja.

Siç dihet Greqia ka dërguar në Ukrainë armë një numër tankesh ruse BMP-1, të viteve 60,nga stoku i ish-Traktatit të Varshavës, të cilat po zëvendësohen tashmë me sistemet përkatëse të armatimit gjerman. Në Selanik mbërritën para dy ditësh, për të marrë pjesë edhe në paradën e festës kombëtare,  6 prej tankeve gjermane të tipit Marder, të cilat po zëvendësojnë ato që u dërguan në Ukrainë.

Scholz në takimin që do të ketë me kryeministrin Mitsotakis do të parashtrojë një sërë marrëveshjesh në këtë fushë, të cilat do të diskutohen në muajt e ardhshëm ,për të parë edhe Athina në se do të jetë e mundur të shtojë shpenzimet ushtarake të cilat kanë tejkaluar shifrën prej 14 mld euro në tre vitet e fundit.

Gjithsesi agjenda e bisedimeve do të mbizotërohet nga zhvillimet e luftës në Ukrainë, çështjet e energjisë, ndërsa zoti Mitsotakis pritet të informojë më në detaje Kancelarin gjerman për marrëdhëniet greko-turke, në një moment kur sipas mediave greke Berlini ,pas epokës Merkel, duket më kritik ndaj Ankarasë dhe më dëgjues i mesazheve të Athinës  për ekuilibrat politikë në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA