Milionerët largohen nga Nju Jorku për shkak të taksave të larta, boshllëk prej 11 miliardë dollarësh në të ardhura

14/07/2026 08:31

Një analizë e re ka ngritur alarmin për largimin e tatimpaguesve më të pasur nga shteti i Nju Jorkut, duke treguar se rënia e përqindjes së milionerëve i ka kushtuar shtetit rreth 10.7 miliardë dollarë të ardhura potenciale nga taksat vetëm gjatë vitit 2022.

Studimi, i publikuar nga Komisioni i Buxhetit të Qytetarëve dhe i cituar nga New York Post, tregon se pjesa e milionerëve amerikanë që jetojnë në shtetin e Nju Jorkut ka rënë nga 12.7% në vitin 2010 në vetëm 8.7% në vitin 2022, duke shënuar rënien më të madhe mes të gjitha shteteve amerikane gjatë kësaj periudhe.

“Rënia e pjesës së tatimpaguesve me të ardhura të larta në Nju Jork ka pasoja të konsiderueshme”, thuhet në raport.

Sipas autorëve të analizës, nëse Nju Jorku do të kishte ruajtur të njëjtën peshë të milionerëve që kishte një dekadë më parë, të ardhurat nga taksa mbi të ardhurat personale do të ishin shumë më të larta. Vetëm për vitin fiskal 2022, shteti llogaritet të ketë humbur rreth 10.7 miliardë dollarë të ardhura potenciale.

Më shumë milionerë, por më pak peshë në nivel kombëtar

Megjithëse numri i milionerëve në Nju Jork është rritur me rreth 34 mijë krahasuar me vitin 2010, ritmi i rritjes ka qenë shumë më i ulët se në shtete të tjera.

Numri i milionerëve është dyfishuar në Nju Jork, ndërsa është trefishuar në Kaliforni dhe Teksas dhe katërfishuar në Florida.

Si pasojë, Nju Jorku ka zbritur në vendin e katërt për numrin e milionerëve, pas Kalifornisë, Teksasit dhe Floridës. Në vitin 2010 ai renditej i dyti në SHBA.

Ekspertët theksojnë se kjo prirje është shqetësuese, pasi tatimpaguesit me të ardhura të larta sigurojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të shtetit dhe financojnë shumicën e programeve sociale.

Florida dhe Teksasi, destinacionet kryesore

Raporti tregon gjithashtu se Nju Jorku ka humbur më shumë banorë drejt shteteve të tjera sesa ka fituar prej tyre.

Florida dhe Teksasi rezultojnë destinacionet kryesore për ish-banorët e Nju Jorkut, sidomos pas eksodit të madh gjatë pandemisë së COVID-19.

Rimëkëmbja demografike e viteve 2023 dhe 2024 është mbështetur kryesisht te emigrantët që kanë ardhur nga jashtë SHBA-së, ndërsa migrimi i brendshëm vijon të jetë negativ.

Në aspektin ekonomik, zhvillimi mbetet i përqendruar në korridorin që lidh New York City, Long Island dhe Albany, ndërsa zonat veriore dhe rurale të shtetit vazhdojnë të humbasin popullsi dhe fuqi punëtore.

Nju Jorku mbetet shteti me barrën më të lartë fiskale

Pavarësisht kësaj prirjeje, Nju Jorku vazhdon të ketë barrën më të lartë të taksave shtetërore dhe lokale në SHBA.

Të ardhurat nga taksat për frymë arrijnë në 12,495 dollarë, ose 78% më shumë se mesatarja kombëtare.

Analiza paralajmëron se kombinimi i taksave të larta, kostos së jetesës dhe largimit të vazhdueshëm të tatimpaguesve të pasur mund të përshpejtojë edhe më tej këtë fenomen.

Shqetësimet janë shtuar edhe pas zgjedhjes së kryetarit të bashkisë së New York City, Zohran Mamdani, i cili ka mbështetur rritjen e taksave për të pasurit dhe bizneset.

Paralajmërime për ekonominë e shtetit

Drejtori Ekzekutiv i Partneritetit për Qytetin e Nju Jorkut, Steve Fulop, paralajmëroi se shteti duhet të krijojë kushte më të favorshme për bizneset dhe tatimpaguesit me të ardhura të larta.

“Nëse nuk ndryshojmë kursin dhe nuk e bëjmë qytetin dhe shtetin më tërheqës për njerëzit dhe bizneset që nxisin ekonominë tonë, kriza e kostos së jetesës vetëm sa do të përkeqësohet”, u shpreh ai.

Sipas tij, largimi i këtyre banorëve nënkupton humbjen e një pjese të madhe të të ardhurave që financojnë programet sociale.

Edhe analistë të tjerë kritikojnë politikat e shtetit të Nju Jorkut. Ata argumentojnë se masat e miratuara vitet e fundit, si forcimi i kontrolleve të qirasë dhe legjislacioni për energjinë e gjelbër, kanë kufizuar ofertën e banesave, kanë rritur kostot e energjisë dhe e kanë bërë shtetin më pak konkurrues.

Sipas tyre, nëse nuk ndërmerren reforma, Nju Jorku rrezikon të futet në një cikël të vazhdueshëm të rënies së popullsisë, tkurrjes ekonomike dhe rritjes së barrës fiskale për banorët që mbeten.

Top Channel