Skandali në Fiks Fare/ Shefi i urbanistikës kërkoi para në këmbim të lejes në plazhin e Ksamilit, reagon policia

19/10/2022 12:53

Mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare u transmeëtua një skandal me lejet e shfrytëzimit të plazhit në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, në Ksamil.

Ndërsa ditën e sotme ka ardhur një reagim nga policia në lidhje me masat që janë marrë për Ariel Balani-n, i cili është Inxhinier i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës.

Prokuroria ka nisur procedimin penal për 31-vjeçarin, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke i siguruar qytetarëve të ndryshëm kërkesat, përkundrejt fitimit në kundërshtim me ligjin.

Për çfarë bëhet fjalë:

E ashtëquajtura “lufta e shezlongëve” është zhvendosur në skajin më jugor të hapësirës detare të vendit tonë, teksa dy persona burrë e grua, po “luftojnë” prej gati dy vitesh me disa persona, të cilët pretendojnë se janë “pronarë të detit” në Ksamil.

Megjithëse kanë marrë lejen nga KKT-ja për të vendosur edhe një strukturë druri, ata janë penguar nga individë privatë, por edhe nga policia bashkiake dhe ajo e rendit. Denoncuesit tregojnë kalvarin e gjatë të stacionit të plazhit, të cilin e kanë përdorur që nga vitit 2008. Tregojnë pazaret me punonjës shtetërorë për të mos ua prishur, por edhe pazaret me punonjës bashkie, të cilët u kërkojnë para’ në formë ryshfeti për t’ua rinovuar lejen.

Një inxhinier i Urbanistikes në Bashkinë e Sarandës u ka kërkuar ryshfet, pasi do t’ua jepte “atyre në Tiranë”. Në audio-përgjim mes qytetarëve dhe inxhinierit, ky i fundit tregon pazaret sa marrin inspektorët e IKMT-së për të mos prishur ndërtime pa leje.

“Lufta e shezlongëvë” në Ksamil!

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua zonja Sofia Doda, e cila ka një stacion plazhi në Ksamil të Sarandës. Sofia tregon se këtë stacion e ka pasur që nga viti 2008 dhe e kanë shfrytëzuar për vite me radhë. Ndërkohë, në vitet 2020, 2021 dhe 2022 ajo është përballur me disa persona, të cilët janë hequr edhe si pronarë. Në vitin 2021 ajo ka tentuar që ta rimarrë plazhin, pas ndryshimit të administrimit, nga pushteti lokal në atë qendror. Por, nuk ka mundur, pasi i kanë thënë se “është pronë private”. Megjithatë, sipas dokumenteve, prona në Ksamil është e sekuestruar me vendim qeverie, pasi ka mbivendosje dhe konsiderohet “pronë shtet”.

Po në 2021, në tentativa për të marrë atë stacion, ajo është sorollatur sa në pushtetin qendror dhe lokal. Ajo ka takuar disa persona, të cilët i kanë kërkuar ryshfet. Njëri prej tyre është inxhinieri i urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Ariel Balani, tashmë me detyrë përgjegjës i Urbanistikës. Arieli i ka kërkuar 7 mijë euro, pasi do të ndërhynte “më sipër” që ajo ta merrte plazhin. Madje, këtë bisedë e ka edhe të dokumentuar, pasi disponon edhe një audio përgjim.

“Më jep ‘pakon’, jemi vonë”

Foti dhe Sofi Doda kanë shkuar në vitin 2021 në Bashkinë e Sarandës, ku janë pritur nga inxhinieri Ariel Balani, i cili ka marrë përsipër ndërhyrjen te Agjencia Kombëtare e Bregdetit në Tiranë.

Biseda mes Sofisë, burrit të saj dhe Arielit është zhvilluar në korrik të vitit 2021. Arieli u tregon se ata kanë probleme me kundërshtarët dhe kundërshtarët kanë paguar që Sofisë ti prishet ambienti. Madje, thotë se punonjësi i IKMT, që u ka shkuar për t’ia prishur, ka marrë lekë dhe lekët i ndan me zyrtarë të tjerë. Më tej u thotë se edhe ai ka paguar atë punonjës që mos t’i prishte dy katet e shtëpisë. “Më jepni pakot (lekët) që të shkoj t’ua jap. E mbyll unë me ta” u thotë ai, duke u kërkuar shuma të mëdha pasi “i duan ata te Tiranes”.

Në bisedë, Arieli u thotë se prona e “Rebit” është sekuestruar që në vitin 2009, pasi është ndarë me dokumente false. “Ça bën Rebi, ua shet të tjerëve. Këta të tjerët vijnë dhe u bëjnë juve këto gjëra. Ai ka dhënë lekë që ty të prishet” u thotë ai, ndërsa qytetarët i thonë se “po erdhi, kërkoi lekë”. “Ato lekët që kërkoi ne nuk i kishim, ishin 7500 euro” thonë qytetarët, duke shtuar se “ne nuk i dhamë, ai e bëri procedurën e prishjes, pastaj më mori 3 mijë euro në mars. Procedurën e kishte bërë, u bë një gjyq pa qenë neve fare”.

Kam leje nga KKT-ja, po s’më lejojnë!

Sofia tregon se stacionin e plazhit në Ksamil e ka prej vitesh. Ndërkohë, në vitin 2022 ka aplikuar sërish në Agjencinë e Bregdetit. Por, në të njëjtën sipërfaqe ka aplikuar edhe një person tjetër, Markelian Musai. Sipas vendimit të Agjencisë, subjekti Markelian Musai është s’kualifikuar, pasi s’ka pasur objekt ekzistues, ndërkohë që është kualifikuar Sofia për të ndërtuar. Ka dalë miratimi i strukturës së drunjtë nga KKT-ja, por deri më sot vetëm sa janë konfliktuar.

Qytetarja ka shkuar me dhjetëra herë tek Arieli por nuk është pritur nga ai.

Gazetarët e Fiks Fare tentojnë që të bisedojnë me këtë përgjegjës, por punonjësit e bashkisë u thonë se “ka dalë në terren”. Madje, kur e telefonojnë, ai përgjigjet se “s’keni për çfarë të flisni me mua”.

Mes qytetares dhe personave të tjerë ka pasur konflikt. Fiks Fare ka siguruar disa audio dhe video të përplasjes mes tyre. Por, policia nuk ka ndërhyrë. Gazetarët dhe qytetarët pyesin në Policinë e Sarandës se çfarë hetimi është bërë, nëse ka ndonjë hetim të hapur apo jo. Apo edhe për denoncimin për pronat. Por, deri më tani, denoncimet kanë ngelur në “sirtar”, duke lënë qytetarët në konflikt me njëri tjetrin.

Njoftimi policisë:

DVP Vlorë

Në lidhje me denoncimin në emisionin investigativ “Fiks Fare”, që u transmetua mbrëmjen e djeshme, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, më datë 18.10.2022, kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka filluar procedimi penal për shtetasin A. B., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke kryer veprime në kundërshtim me ligjin, për t’iu siguruar disa personave, përfitime monetare të padrejta.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat për bashkëpunimin dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA