Mosmarrëveshje politike apo gabime në detyrë? Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar jep dorëheqjen

19/10/2022 18:36

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj këtë të mërkurë.

Kjo gjë u konfirmua, pasi në mediat vendase u publikua letra që ajo i kishte dorëzuar kryeministrit.

Sekretarja e Brendshme deklaroi se po jep dorëheqjen me keqardhjen më të madhe, por e vendosur për tu larguar.

“Më herët sot, i dërgova një dokument zyrtar nga e-maili im personal një kolegu të besuar parlamentar si pjesë e angazhimit të politikave dhe me synimin për të mbledhur mbështetje për politikën e qeverisë për migracionin. Kjo përbën një shkelje teknike të rregullave. Siç e dini, dokumenti ishte një draft Deklaratë e Shkruar e Ministrisë për migracionin, që do të publikohej së shpejti. Një pjesë e madhe e tij tashmë ishte informuar për deputetët. Megjithatë, është e drejtë që unë të shkoj”.

Më tej ajo shkruan se ka kuptuar gabimin që ka bërë dhe ka vendosur të largohet, pasi kjo është gjëja e duhur.

“Sapo kuptova gabimin tim, e raportova me shpejtësi në kanalet zyrtare dhe e informova Sekretarin e Kabinetit. Si Sekretar i Brendshëm e mbaj veten në standardet më të larta dhe dorëheqja ime është gjëja e duhur. Biznesi i qeverisë mbështetet tek njerëzit që pranojnë përgjegjësinë për gabimet e tyre. Të pretendosh se nuk kemi bërë gabime, të vazhdosh sikur të gjithë nuk mund të kuptojnë se i kemi bërë dhe të shpresosh se gjërat do të shkojnë në mënyrë magjike nuk është një politikë serioze. Unë kam bërë një gabim, pranoj përgjegjësinë, jap dorëheqjen”.

Braverman në letrës e saj përmendi edhe situatën politike, duke e konsideruar si kohë të trazuar.

“Është e qartë për të gjithë se po kalojmë një kohë të trazuar. Unë kam shqetësime për drejtimin e kësaj qeverie. Jo vetëm që ne kemi thyer premtimet kryesore që u janë premtuar votuesve tanë, por kam pasur shqetësime serioze për angazhimin e kësaj qeverie për të respektuar angazhimet e manifestit. Ka qenë një nder i madh të shërbej në Ministrinë e Brendshme, edhe në kohën e shkurtër që kam qenë këtu, ka qenë shumë e qartë se ka shumë për të bërë, në drejtim të përmbushjes së prioriteteve të popullit britanik. Ata meritojnë policinë që mund ta respektojnë, një politikë imigracioni që duan dhe votuan në një numër kaq të qartë në zgjedhjet e fundit, dhe ligje që i shërbejnë të mirës publike dhe jo interesave të protestuesve egoistë. Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë zyrtarëve të mi, këshilltarëve specialë dhe ekipit ministror për të gjithë ndihmën e tyre gjatë kohës sime si Sekretare e Brendshme”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA