Kryeministres britanike Liz Truss, jo vetëm në paraqitjen e fundit në parlament, por edhe në mbledhjen e qeverisë, dukshëm i mungonte, sipas ekspertëve “inteligjenca emocionale”, ku ajo po i përngjan më shumë një kufome politike që po shkruan vetë eulogjinë e saj.
Ajo ndoshta do të hyjë në historinë politike si kryeministrja më jetëshkurtër në krye të Britanisë, dhe me popullaritetin më të ulët se çdo paraardhës i saj. Politikat e saj ekonomike dhe mini-buxheti i paraqitur prej saj, kanë krijuar një kaos të paprecedent në tregjet financiare dhe rënien e stërlinës angleze, duke goditur frikshëm ekonominë e vendit dhe xhepat e britanikëve, pa filluar ende mirë kriza e këtij viti.
Duke kërkuar ndjesë vetëm mbrëmë në një intervistë për BBC, ajo tha se “shumë gjëra i bëra gabim dhe shumë shpejt”. Por kjo nuk duket e mjaftueshme. Sondazhi i sotëm tregon se më shumë se 80 për qind e anëtarëve të partisë konservatore që para dy muajsh e votuan atë kryeministre dhe drejtuese e partisë, sot mendojnë se ajo po performon shumë keq dhe 55 për qind e tyre kërkojnë dorëheqjen e saj që sot. Dhe kanë arsye pasi partia e tyre, e cila ndodhet prej 12 vitesh në pushtet, sot ndodhet 36 pikë pas laburistëve të opozitës së qendrës së majtë.
Ndërkohë, problemi më i madh i elitës politike konservatore është se cili do duhet ta zëvendësojë Liz Truss, ku pjesa më e madhe kërkojnë sërish Boris Johnson, ndërsa pak më pak kërkojnë Rishi Sunak, njeriun që rrëzoi Johnson. Por rikthimi i Johnson, dukej shumë ambicioz për t’u realizuar dhe e vetmja rrugë është negociimi mes fraksioneve në atë parti për të gjetur një kandidat kompromisi, për të pësuar një humbje sa më të vogël në zgjedhjet e ardhshme pas dy vitesh, por që po kërkohen me ngulm sa më shpejt.
Kryeministrja Truss, në bazë të të gjithë skenarëve të mundshëm, ose do të duhet të dorëhiqet, siç bëri Teresa May, ose do të detyrohet nga deputetët dhe anëtarët e kabinetit të tërheqin mbështetjen politike për të, ç’ka nënkupton që ajo s’mund të qeverisë më. Në praktikë, siç deklaroi vetë kur e hoqën Boris Johnson se “nëse turma fillon të lëvizë , vetëm lëviz dhe nuk ndalet”. Liz Truss ka dështuar në mënyrë spektakolare, dhe vetëm po pritet lëvizja e të njëjtës turmë.
Top Channel