Ukraina i kërkon Kryqit të Kuq të vizitojë burgun famëkeq në Donjeck

14/10/2022 08:14

Zyrtarët ukrainas i kanë bërë thirrje Kryqit të Kuq që të kryejë një mision në një kamp famëkeq të të burgosurve në pjesën lindore të shtetit, të pushtuar nga forcat ruse.

Andriy Yermak, shefi i stafit i presidentit ukrainas, kërkoi që Kryqi i Kuq të vizitojë brenda tri ditësh burgun Olenivka në rajonin e Donjeckut.

“Ne nuk mund të humbim më shumë kohë. Jeta e njerëzve është në rrezik”, shkroi ai në Twitter.

Muajin e kaluar, Kryqi i Kuq tentoi të siguronte qasje në këtë kamp, por tha se autoritetet ruse ua kishin mohuar qasjen.

Burgu Olenivka është nën kontrollin e autoritetet të mbështetura nga Rusia në Donjeck që nga viti 2014, dhe kushtet në këtë burg thuhet se janë të rënda.

Në korrik, disa të burgosur ukrainas u vranë pas një shpërthimi në kamp dhe Kievi e Moska fajësuan njëri-tjetrin për shpërthimin. Kievi tha se burgu u shënjestrua nga Rusia me qëllim që të shkatërroheshin dëshmitë e torturës dhe vrasjeve, ndërkaq Moska tha se shpërthimi u shkaktua nga raketat ukrainase.

Të burgosurit në këtë burg përfshijnë edhe anëtarët ebatalionit Azov, që ishin mbrojtësit e fundit të qytetit të Mariupolit.

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina ka bërë presion ndaj organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar që të hetojnë lidhur me atë se çfarë po ndodh brenda këtij burgu.

Yermak tha se e kishte ngritur këtë çështje gjatë një video-konference me zyrtarët e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe me organizatat e tjera ndërkombëtare. Ai kërkoi që pjesëtarët e Kryqit të Kuq të vizitojnë këtë burg të hënën.

“Ukraina do të kontribuojë në këtë mision në të gjitha mënyrat e mundshme”, tha ai përmes një postimi në Telegram.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka përsëritur këto thirrje, duke e akuzuar Kryqin e Kuq për mosveprim, pasi sipas tij, kjo organizatë “e ka obligim, në radhë të parë të natyrës morale”.

Ai tha se vizita në këtë burg do të mund të organizohej ngjashëm sikurse vizita e anëtarëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, që vizituan në gusht centralin bërthamor të Zaporizhjës, që është nën kontrollin rus.

Kryqi i Kuq ndërkombëtar nuk ka reaguar për këtë kërkesë ukrainase. Por, muajin e kaluar drejtori i kësaj organizate, Robert Mardini, tha se bisedimet me autoritetet ruse për qasjen në Olenivka ishin duke vazhduar, por më pas njoftoi se qasja u ishte mohuar./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA