Për shkak të ndeshjes së Kupës në mesjavën e ardhshme java e shtatë e Abissnet Superiore do të luhet ditën e premte dhe të shtunë.
Tirana fituesja e Derbit të kryeqytetit në javën e shkuar do të përpiqet të përmbledhë emocionet dhe efuorinë e suksesit të shkuar për t’u përballur si duhet me Lacin e vendit të fundit, por që sipas trajnerit Orges Shehi, pozicioni aktual i kurbinasve nuk është ai që tregon realisht potencialin e kësaj skuadre.
“Kundërshtar që ka lojtarë cilësor. Kundërshtar që në vitet e fundit është faktor në futbollin shqiptar. Kundërshtar që ka koeficientin më të lartë nga të gjitha klubet shqiptare në Europë. Do ta hiqja këtë vendi i fundit. Mendoj që është një skuadër që meriton vëmendje personale sepse është realisht një skuadër e fortë.” tha trajneri i Tiranës Orges Shehi
Në 6 javët e zhvilluara deri më tani skuadra a e Laçit ka një ndër fillimet e sezonit më të vështira sa i përket pikëve, ka arritur vetëm një fitore dhe 5 humbje deri tani.
Kjo përballje me Tiranën ditën e premte do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” për shkak edhe të dëmtimit të një sasie të madhe të stolave të stadiumit “Air Albania” në të cilin nuk do të luhet më asnjë ndeshje e kampionatit deri përpara përballjes me Italinë të kombëtares sonë më 16 nëntor.
Ndërkohë skuadra tjetër kryeqytetase Partizani, do të udhëtojë drejt Shkodrës për të rikuperuar goditjen psikologjike të pësuar nga derbi i fundjavës së shkuar.
Vllaznia është gjithashtu në pozita që kërkon me doemos pikë në këtë fillim të sezonit, që ka qenë më i ngadaltë nga sa e kishin pritur vetë shkodranët.
Ndeshja e tretë e ditës së premte do të jetë ajo mes Erzenit të Shijakut të cilësuar si surpriza e këtij fillim kampionati me Egnatian e Rrogozhinës.
Top Channel