Bashkia e Tiranës ka shpallur sot zyrtarisht të hapur garën për ndërtimin e Teatrit të Ri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ceremoninë e zhvilluar për çeljen e kësaj gare tha se Teatri Kombëtar është sot në prag të fitores më të madhe, asaj të transformimit në një teatër modern.
“Jam vërtet krenar për gjithë skuadrat tona të projektimit. E deklaroj të hapur garën për Teatrin e Ri në Tiranë, aty ku ishte, por 3 herë më i madh seç ishte dhe disa herë më komod seç ishte. Sot jemi në prag të fitores më të madhe, besoj nga të gjithë betejat që janë politizuar dhe janë bërë në qytetin e Tiranës, që ka të bëjë me Teatrin e Ri. Unë jam gati të bë bast se do të jetë patjetër një vend që do fitojë çmime e padyshim, teatri më i bukur në rajonin tonë,” u shpreh ai.
Detyra jonë – tha Veliaj – është të ndërtojmë një Teatër të ri, i cili do t’u shërbejë të gjithëve, edhe të majtëve, edhe të djathtëve. “Kush është serioz dhe kush nuk do ta përdorë historinë për të bërë histeri, duhet ta shohë të vërtetën ashtu siç është. Detyra jonë nuk është që të na pëlqejnë të gjithë. Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve. Detyra jonë është bëjmë një teatër, ku do vijnë si të majtët, si të djathtët, si të moshuar, si fëmijë, si tironsat ‘den baba den’, si ‘jabanxhinjtë’ që kanë ardhur qoftë edhe për të parë teatër. Kjo është detyra jonë,” tha ai.
Veliajkujtoi edhe si ka qenë godina e vjeter. “Le të mos bëhemi patetikë për nostalgjira pa vend, se po të ishin të tillë, nuk do e lejonin që, këtu ku jemi sot, të rrotullohej ruleta e Bingos së teatrit. Po të ishte që na dhimbsej, nuk do kishim lejuar kurrë bingon”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se Teatri i ri u vonua edhe per shkak te krizës dhe shtrenjtimit te çmimeve.
Në garën e hapur nga Bashkia e Tiranës pritet të marrin pjesë kompani nga më të mirat ndërkombëtare.
Top Channel