Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, ka thënë të mërkurën se do të rikthejë eksportet e gazit përmes Austrisë, kryesisht në Itali.

Gazprom ka thënë se vetë ajo dhe konsumatorët italianë, kanë gjetur zgjidhje për shitjen e gazit, pas disa ndryshimeve në rregulloret e Austrisë.

Kompania e kontrolluar nga Kremlini, ka njoftuar të shtunën për pezullim të eksportit të gazit përmes Austrisë, pasi një operator i rrjetit nuk i ka dhënë Gazpromit konfirmim për transport.

Qeveria e Austrisë ka thënë se Gazpromi nuk i ka nënshkruar kontratat e nevojshme.

Sasia e gazit rus që hyn në Itali tani përbën 10 për qind të importit total të shtetit, në krahasim me 40 për qind vite më parë, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, një burim në njohuri me këtë situatë.

Sipas tij, Italia ka rritur sasinë e gazit që importon nga Algjeria dhe vendet nordike.

Gazprom ka zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme sasinë e gazit që çon në Bashkimin Evropian, duke përmendur nevojën e punimeve në gazsjellës.

Perëndimi e konsideron këtë veprim si hakmarrje ndaj sanksioneve që i janë vënë Moskës për nisje të luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA