Durrës / Finalizohet nga Stacioni i Policisë Manzë, operacioni policor i koduar “Perëndimi”.
Tentoi të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një 50-vjeçare nga Durrësi dhe u largua menjëherë për t’i shpëtuar Policisë, kapet dhe vihet në pranga 65-vjeçari.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 kg kanabis në proces tharjeje dhe asgjësoi 28 bimë kanabisi të kultivuara në oborrin e kësaj banese.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një 50-vjeçare dhe se në tokën në pronësi të tij, në fshatin Ishëm, kishte kultivuar bimë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Perëndimi”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Sh., 65 vjeç, banues në Ishëm, Durrës.
Ky shtetas, pasi kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase, ishte larguar menjëherë për t’i shpëtuar Policisë, por pas kontrollit të zonës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 65-vjeçarit, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe kanë asgjësuar 28 bimë të dyshuara narkotike kanabis të kultivuara në oborrin e banesës së këtij shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Top Channel