Rreth 20 anëtarë të një sekti ultra-konservator që u bastis kësaj jave nga policia në Meksikë, janë arratisur pasi mundën rojet e sigurisë në impjantin e tyre në xhungël.
Disa pamje të publikuara në rrjet tregonin sot burra, gra e fëmijë me veshjet karakteristike konservatore të sektit, që vërshonin jashtë impjantit në qytezën perëndimore të Huixtla, mëngjesin e sotëm.
Ata mbaheshin aty prej thuajse një jave kur dy nga drejtuesit e sektit u arrestuan me kërkesë të Izraelit me akuza trafiku njerëzor dhe abuzime seksuale brenda grupit.
Sekti Lev Tahor, njihet për regjim të ashpër fetar ndaj ndjekësve të tij dhe praktikat e besimit.
Mediat vendase thonin se anëtarët e grupit po protestonin ndalimin e tyre, duke krijuar trazira e duke sulmuar personelin e sigurisë.
Video nga agjencia Reuters tregonin besimtarët e veshur me roba të gjata, gri e të bardha, teksa kalonin me forcë pas rojeve të impjantit, dhe të tjerë që mbanin hapur dyert për t’u larguar.
26 anëtarë të komunitetit u gjetën në kompleks në kohën e bastisjes, shumë prej të cilëve me pasaporta nga Izraeli, SHBA e Kanadaja.
Lev Tahor – që në gjuhën hebreje do të thotë ‘zemër e pastër’ – është formuar në vitin 1988 dhe kundërshton regjimin sionist të Izraelit.
Grupi anti-Zionist ka kërkuar më parë azil politik në Iran dhe ka shpallur besnikëri për liderin e atjeshëm Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë një gjykatë federale në SHBA në 2019.
Një bastisje e ngjashme ndaj rreth 70 anëtarëve të grupit Lev Tahor që jetonin në Guatemala u krye muajin që kaloi, dhe prej atëhere sipas raportimeve ata janë deportuar në Turqi.
Idetë dhe planet e komunitetit nuk janë shumë të qarta por prej krijimit në vitet 1980, sekti është zhvendosur disa herë gjatë viteve, në Izrael, Kanada, Guatemala e Meksikë prej problemeve me autoritetet.
Gratë e fëmijët e ndaluar në fundjavë kanë pasaporta izraelite por refuzojnë të kthehen atje, shkruan e përditshmja Times of Israel.
Top Channel