BE është e përçarë për mënyrën e veprimit me rezervistët rusë që duhet të mobilizohen për t’u dërguar në Ukrainë. Disa vende duan t’i pranojnë ata, të tjerë jo.
Kërkesa e fundit e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky drejt meshkujve në Rusi ishte: “Mos iu dorëzoni mobilizimit! Ikni!” Qindra mijëra rusë në moshë të rekrutimit kanë reaguar ndaj mobilizimit të pjesshëm dhe janë larguar në vendet fqinje, ku mund të shkojnë pa vizë. Pamjet satelitore tregojnë radhë me kilometra në kufirin me Gjeorgjinë, Kazakistanin, Finlandën, apo Mongolinë. Fluturimet e pakta nga Rusia jashtë kanë qenë të prenotuara plotësisht.
Mbyllen kufijtë për refuzuesit e shërbimit ushtarak
Qeveritë në Gjeorgji dhe Kazakistan i kanë mirëpritur të martën të gjithë rusët që largohen nga shërbimi ushtarak. Presideni kazak, Kasym-Shomart Tokajev deklaroi, se shumë të prekur nuk shohin ndonjë rrugëdalje tjetër. “Ne duhet të kujdesemi për sigurinë e tyre. Kjo është një çështje politike dhe humanitare.” Turqia përkundrazi duket se do të pengojë hyrjen masive të rusëve. Shoqëria e fluturimit, Turkish Airlines ka ndërprerë lidhjet me Bjellorusinë dhe në aeroporte ruse deri në fund të vitit. Nga sulmi kundër Ukrainës, Turqia ishte ndër vendet e pakta që kishte lidhje direkte me Rusinë. Tani janë më të pakta mundësitë për rusët që duan të shpëtojnë nga mobilizimi ushtarak. Por meshkujt në moshën e rekrutimit gjejnë çdo mënyrë për të dezertuar. Në kufijtë me vendet fqinje të Rusisë janë gjetur qindra biçikleta të braktisura.
Vendet balltike ndërkohë i kanë mbyllur kufijtë me Rusinë. Ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis e formuloi ashpër, kur tha, se “Lituania nuk do t’u japë azil atyre që i ikin përgjegjësisë. Rusët duhet të qëndrojnë dhe të luftojnë. Kundër Putinit.” Skeptik është edhe kryeministri belg, Alexander Croo. “Nuk mund të jetë qëllim i Europës, t’u thotë Po të gjithë rusëve që refuzojnë mobilizimin ushtarak apo që nuk janë dakord për regjimin në Rusi”, tha ai për gazetën belge, “De Zevende Tag”. Sipas të dhënave të Frontex në javën e kaluar në BE kanë ardhur 66.000 rusë. 30% më shumë se 1 javë më parë.
BE kërkon ujdi
Ambasadorët e BE diskutuan të hënën këtë temë dhe një propozim, që refugjatëve rusë t’u jepet të paktën mbrojtje e përkohshme. Komisioni Europian deklaroi se është duke kërkuar një zgjidhje kompromisi me vendet anëtare. Zëdhënësi i KE, Eric Mamer tha se kuadri ligjor është i qartë. “Nëse bëhet fjalë që njerëzit vijnë në BE dhe kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, ajo duhet të garantohet.” Vendet e BE duhet të vendosin individualisht për çdo kërkesë, por këtu “duhet marrë në konsideratë edhe situata gjeopolitike dhe shqetësimet e sigurisë.” Vendet anëtare e interpretojnë këtë në mënyra të ndryshme.
Gjermania vetë do t’u ofrojë parimisht azil refugjatëve rusë që kërkohen për rekrutim dhe janë larguar nga Rusia. “Kush ngrihet me guxim kundër regjimit të Putinit dhe rrezikon shumë për këtë, mund të kërkojë azil politik në Gjermani për shkak të përndjekjes politike”, ka deklaruar ministrja e Brendshme gjermane,Nancy Faeser- Problemi është, se azilkërkuesit duhet të shtrojnë kërkesë për azil në vendin e parë të pritës të BE he ka pak gjasa të mbërrijnë deri në Gjermani.
Krahas kësaj mbetet e hapur edhe një çështje jurudike. Nëse një dezertor kërcenohet nga burgu, a është kjo përndjekje në konceptin e së drejtës të azilit? Në udhëzuesin e organizatës së OKB për refugjatët thuhet se “frika vetëm nga përndjekja apo dënimi për dezertimin apo mohimin e shërbimit ushtarak nuk është frikë e arsyetuar për përndjekjen sipas konventës së refugjatëve”, thekson eksperti britanik, Colin Yeo në “Free Movement”. Nëse ata mund të paraqesin në mënyrë të besueshme, se do të detyroheshin për krime lufte në Ukrainë, mund të marrin prej kësaj një mbrojtje të përkohshme në bazë të Konventës së Gjenevës. Por sipas Yeo, “juridiksioni në lidhje me shërbimin ushtarak nuk e bën të lehtë për një dezertor të provojë rastin e tij./DW
Top Channel