Zhvillimi i Kupës së Botës në Katar është shoqëruar me kontestime të shumta prej momentit kur u mor vendimin për ta luajtur evenimentin më të rëndësishëm në një vend që nuk ka traditë në futboll.
Por, konstestimet morën përmasa të jashtëzakonshme në momentin kur nga Katari vinin lajme se punëtorët të cilët ishin punësuar për të ndërtuar stadiumet që do të presin kombëtaret më prestigjioze në glob, shfrytëzoheshin dhe detyroheshin të punonin pa asnjë kusht sigurie.
Në media, sidomos ato britanike flitet për mijëra jetë të humbura në radhët e punëtorëve ndërsa në një moment të caktuar u fol edhe për një bojkot ndaj Botërorit të Katarit, me Danimarkën që ishte edhe kombëtarja më e prirur për ta realizuar diçka të tillë.
Megjithatë, danezët do të udhëtojnë për në Katar, por nordikët nuk harrojnë të protestojnë ndaj Katarit dhe së bashku me sponsorin e tyre “Hummel” kanë projektuar një fanellë të tretë, e gjitha në të zezë të cilën e titullojnë si “Ngjyra e zisë”.
“Fanellat e Danimarkës jo vetëm janë të frymëzuara nga suksesi i tyre europian në vitin 1992, por ajo e treta është si një notë proteste ndaj Katarit dhe faktit që nuk janë respektuar të drejtat e njeriut. Ne kemi zgjedhur të zezën, sepse nuk duam të jemi të dukshëm në Katar, në një turne që i ka kushtuar jetën mijëra njerëzve.
Ne e mbështesim deri në fund kombëtaren e Danimarkës, por jo Katarin si vendi i mikpritjes. Ne mendojmë se futbolli duhet të bashkojë njerëzit dhe kur nuk e bën këtë atëherë duhet të mbajmë qëndrim”, përfundon reagimi i sponsorit Hummel./ Super Sport
Top Channel