Pas pushimeve të gushtit, Partia Socialiste mbledh këtë të martë pasdite kryesinë për të ndezur motorët e fushatës për zgjedhjet lokale mes-vitin e 2023.
Nga një burim brenda kryesisë të PS, gazetari Top Channel Muhamed Veliu, mësoi se kjo mbledhje do të fokusohet në detyrat konkrete për secilin drejtues politik në 12 qarqe në funksion të zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, kjo nuk do të jetë e vetmja çështje për diskutim nga kupola drejtuese e Partisë Socialiste.
I njëjti burim deklaroi se kryesocialisti Edi Rama, pritet t’i propozojë kryesisë, ndryshime në drejtimin politik të socialistëve në disa qarqe.
“Top Channel është në dijeni të këtyre ndryshimeve, por le të presim konfirmimin e tyre nga mbledhja e kryesisë socialiste”, raportoi gazetari Muhamed Veliu në edicionin e lajmeve të orës 12:00.
Top Channel