Një grup vendesh të Bashkimit Europian do ta shtyjnë Brukselin këtë javë të dalë me plane të qarta për vendosjen e një çmimi tavan të gazit, sipas një drafti të parë nga Reuters.
BE-ja propozoi një paketë masash emergjente për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë në fillim të këtij muaji, por e ka shmangur deri më tani një kufi të çmimit të gazit, propozim ky që ka përçarë 27 vendet anëtare të bllokut.
Vendet në favor të tij planifikojnë të rrisin presionin ndaj Brukselit, me një letër që i kërkon Komisionit Europian të bëjë propozime mbi një kufi të çmimit të gazit për diskutim në një takim të ministrave të energjisë të BE të premten, pasuar nga një propozim legjislativ sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne pranojmë përpjekjet e bëra nga Komisioni dhe masat që ka marrë për të përballuar krizën.
Por duhet ende të trajtojmë atë që është problemi më serioz nga të gjithë: çmimi i shitjes me shumicë të gazit natyror”, thuhet në letër. Zyrtarët e BE-së pohuan se rreth 10 vende po shqyrtojnë mundësinë e firmosjes së draftit; mes tyre Belgjika, Italia, Polonia, Malta e Greqia. Letra e drejtuar komisioneres europiane të energjisë, Kadri Simson, kërkon një kufizim çmimi për të gjitha transaksionet me shumicë të gazit.
Diplomatët janë duke negociuar dhe përmbajtja e saj ende mund të ndryshojë ende. Drafti thekson se kufizimi i çmimit të gazit do t’i ndihmonte vendet të frenojnë “presionet e paqëndrueshme të inflacionit” që godasin familjet dhe bizneset dhe mund të projektohet në një mënyrë të tillë që të garantojë sigurinë e furnizimit.
Ndërkohë Gjermania, Holanda dhe Danimarka argumentojnë se kufizimi i çmimit mund të rrezikojë sigurinë e furnizimit duke dëmtuar aftësinë e BE-së për të tërhequr dërgesat e gazit këtë dimër.
Top Channel