Georgia Meloni e partisë radikale Fratelli d`Italia fitoi zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Itali dhe pritet të kthehet në kryeministren e parë femër të vendit.
Aleanca e saj me partinë populiste të djathtë, Lega dhe partinë konservatore, Forza Italia ka siguruar 235 vende në dhomën e ulët të parlamentit, ku koalicioni i qendrës së majtë do të ketë 80 vende e lëvizja 5 yjet, 51.
Edhe në senat, 112 vende shkojnë për të djathtët, 39 për qendrën e majtë. në këtë mënyrë, është tkurrur në 43,79% numri i votave me të cilat qendra e djathtë fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Itali, por mjaftueshëm për të qeverisur. Pavarësisht aleancës me Matteo Salvinit e Legës megjithatë, Meloni duket se nuk ka në plan t`i lërë shumë pushtet ish ministrit të brendshëm. La Repubblica shkruan se politikania 45 vjeçare po vepron me kujdes për të caktivizuar minën Salvini, me qëllimin që edhe të mos e zemërojë aleatin e saj, por edhe t`i vërë fre ëndrrave legiste.
Kështu plani i saj, me sa duket, është që Salvinit të mos i kalojë asnjë ministri kyc. Kjo konsiderohet si sprova e parë e aspirantes për shefe të ekzekutivit, nga lëvizjet e së cilës do të varet krijimi i një qeverie të qëndrueshme, e cila të ketë ndërkohë edhe zhdërvjelltësi në raport me Europën. Pritshmëritë prej saj janë që të arrijë të krijojë një skuadër e cila të qetësojë liderët e huaj dhe tregjet.
Meloni, së voni, është distancuar nga Mussolini, apo “Il Duce”, por ajo dhe shumë kolegë të saj partiakë e kanë lavdëruar atë në të kaluarën. Partia e saj ka të njëjtën logo që ka përdorur Lëvizja neofashiste Sociale e Italisë (MSI), e cila është ngritur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, dhe ajo nuk ka pasur turp të përdorë sloganin “Zoti, atdheu, familja”, ose variacione të tij, që lidhen me regjimin e Mussolinit. Kthimi i beftë i Italisë drejt së djathtës ekstreme ndryshoi menjëherë realitetin gjeopolitik të Evropës, duke sjellë një parti euroskeptike në drejtimin e një vendi themelues të BE-së, njëkohësisht dhe me ekonominë e tretë më të madhe brenda bllokut.
Udhëheqësit e krahut të djathtë në të gjithë Europën përshëndetën menjëherë fitoren e zonjës Meloni dhe ngritjen e fortë e të shpejtë të partisë së saj, duke e konsideruar si një mesazh historik për Brukselin.
Top Channel