E ardhmja e Harry Kane te Tottenhami është në pikëpyetje. Anglezit i përfundon kontrata në verën e vitit 2024 dhe drejtuesit e klubit londinez kanë nisur bisedimet për rinovimin.
Ende nuk ka një akord midis Tottenham dhe sulmuesit për zgjatjen e marrëveshjes e nga kjo situatë kërkojnë të përfitojnë drejtuesit e Bayernit, që janë të gatshëm për të bërë gjithçka në verën e vitit 2023 për ta transferuar në “Allianz Arena”.
Megjithatë, për golashënuesin e tretë më të mirë në historinë e Premier League-s, janë të interesuar shumë klube dhe së fundi në skenë është shfaqur edhe Chelsea.
Trajneri i ri i “bluve” të Londrës, Graham Potter, ka hedhur një ide interesante, pasi ai dëshiron t’i ofrojë Tottenhamit shërbimet e Romelu Lukakut, i cili është i huazuar tek Interi, për të arritur te Harry Kane.
Një lëvizje e tillë befasuese do të ribashkonte sulmuesin belg me Antonio Conten, me dyshen që luajtën një rol të madh në fitimin e titullit të Serisë A nga Interi në sezonin 2020-21.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë mbetet shumë e vështirë për t’u arritur, pasi rikthimi i Lukakut në Premier League me Chelsea-n ishte për t’u harruar, edhe pse “blutë” e Londrës shpenzuan më shumë se 100 milion euro për ta riblerë.
Kane e ka nisur sezonin e ri në formë fantastike, me gjashtë gola në shtatë paraqitje, dhe Tottenhami do të detyrohet ta nxjerrë në shitje në rast se nuk arrihet një marrëveshje për rinovimin e kontratës.
Top Channel