Golashënuesi më i mirë i Izraelit, Zahavi “trazon ujërat” para ndeshjes me Shqipërinë

19/09/2022 16:15

Ndeshja me Izraelin në program këtë të shtunë, dhe që si çdo sfidë e Kombëtares do të transmetohet drejtpërdrejt në Supersport, do të jetë thelbësore për shanset e kuqezinjve për të kapur vendin e parë në grupin e Nations League.

Duhet me çdo kusht një fitore në transfertë, përballë një kundërshtari të rrezikshëm, që tregoi forcën e tij duke fituar me përmbysje në Air Albania qershorin e kaluar, e megjithatë shanset për skuadrën e Rejas janë të mira.

Pavarësisht mungesave në kampin kuqezi, edhe në kampin izraelit, ujërat nuk janë aq të qeta. Së fundmi ka bërë bujë në kampion kundërshtar, refuzimi që i ka bërë kombëtares yllit i skuadrës, sulmuesi i Maccabi Tel Aviv, Eran Zahavi, për ndeshjen me Shqipërinë dhe miqësoren me Maltën pak ditë më pas. Lajm ky që u konfirmua nga Drejtori Teknik i Federatës Izraelite Youssi Benayoun dhe trajneri Alon Hazan.

Arsyeja është disi e çuditshme. Zahavi ka kërkuar që të ketë një dhomë vetëm për vete në akomodim, diçka që e ka bërë të zakonshme në 4 vitet e fundit, por trajneri dhe drejtuesit e bënë të qartë se nuk ishin të gatshëm për të plotësuar këtë kërkesë duke shtuar se nuk u intereson të kenë 35-vjeçarin, ish sulmues i Palermos në Serinë A dhe PSV në Eredivisie si pjesë të grupit në ndeshjen me Shqipërinë ku kërkojnë të konsolidojnë kreun e grupit edhe pse e lanë të hapur derën për një rikthim të Zahavit në të ardhmen.

I njohur për sjelljet e tij egoiste dhe më parë, Zahavi, i cili është dhe kryegolashënuesi i të gjitha kohërave për Izraelin, me 33 finalizime në 70 prezenca, është lënë jashtë skuadre, duke krijuar një çështje që ka turbulluar disi ambientin, para një sfide vendimtare si ajo me Shqipërinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA