Bashkia e Tiranës ka hartuar një masterplan për ndërhyrjen në nivel kapilar nëpër njësitë administrative të kryeqytetit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se do të ndërhyhet në rreth 300.000 m2 rrugë kryesore, dytësore dhe sheshe të blloqeve të banimit.
“Kemi një propozim për të asfaltuar në Tiranë 300 mijë metra katrorë rrugë kryesore, dytësore dhe sheshe të blloqeve të banimit nga njësia 1 deri në njësinë 11 dhe nga lagjia 12 deri në lagjen 14. Pra, për të gjithë hapësirat urbane të Tiranës. Sigurisht, qyteti ka qenë i gjithi një kantier, disa raste prej punëve private, në pjesën më të madhe prej punëve publike. Sot kemi mbledhur të gjithë qindarkat e projekteve të parealizuara dhe kemi propozuar që të shfrytëzojmë këtë fond dhe të rialokojmë për drejtorinë tonë të punëve publike këtë projekt gjigant asfaltimi, sistemimi dhe urbanizim i të gjithë blloqeve të Tiranës. Kështu që, nëqoftëse kemi dakordësinë tuaj ne do të mbledhim të gjitha fondet e pashpenzuara të vitit tani që jemi në gjysmën e fundit dhe do t’i çojmë në këtë projekt që kërkon më pak punë projektuese dhe më shumë punë në terren”, theksoi Veliaj.
Ndërhyrja do të konsistojë në përmirësimin e shtresave asfaltike, shtresave të trotuareve, riparimet të pjesshme të paketës së shtresave rrugore ku ato paraqiten më të dëmtuara, sinjalistikën horizontale, si dhe kompletimin me sinjalistikën vertikale në ato pjesë ku ajo mungon.
Top Channel