Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, e para për këtë sezon, kryetarja e bashkisë së Durrësit ka deklaruar se javën e ardhshme do të fillojë aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre qytetarëve.

Ky aksion do të nisë në lagjen 17 të qytetit dhe do të vijojë në lulishtet pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve.

“Kemi bërë njoftimin zyrtar nëpërmjet IMTV dhe policisë bashkiake duke i lënë afat të gjitha subjekteve të cilat kanë zënë këto hapësira se brenda kësaj jave duhet t’i lirojnë ato, për t’i lënë vendin ndërhyrjes së IMVT-së dhe policisë bashkiake.

Aksioni do të vijojë më tej edhe në  shëtitoren e plazhit për t’u shtrirë më tej në të gjithë qytetin e Durrësit.

Ndërkohë  gjatë mbledhjes u miratua shlyerja e borxhit të bashkisë ndaj OSHEE-së me një fond prej 81 milion lekësh. Një tjetër vendim i miratuar ishte ai për familjet përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin gusht. U miratua gjithashtu edhe përdorimi i fondit të rindërtimit të përfituar në zbatim të VKM-së nr. 503, datë 27.07.2022 “Për përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rindërtimit të banesave individuale në Durrës, Vorë dhe Shijak”.

Këshilltarët bashkiakë miratuan edhe ndryshimin e kërkuar nga bashkia në një vendim të mëparshëm për listën e përfituesëve nga procesi i rindërtimit për pallatin nr. 1062 të  rrugës “26 Nëntori” dhe pallatin nr. 14 në rrugën “P. Boshnjaku”.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe përdorimi i fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit për emergjencat civile, një fond ky i alokuar për këtë vit, në vlerën rreth 52 milion lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA