Dekomunistizimi/ Veliaj kujton kohën kur ishte ministër i çështjeve sociale: Dorëzuam pr/ligj që të mos mbeteshim si Rusia që s’hap dosjet, por Meta…

06/09/2022 23:03

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë për “Top Story, komentoi dhe zhvillimet e fundit në parlament, ku mazhoranca kërkon ndryshime ligjore që përfshijnë hapje totale të dosjeve, përfshirë edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e  komisioneve Bezhani dhe Mezini.

Veliaj kujtoi kohën kur ishte ministër për çështjet sociale dhe bashkë më zëvendës ministren Genta Sula, që sot është në krye të Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, përgatitën një projektligj që kërkonte hapjen e dosjeve, por që thotë se u rrëzua nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Ilir Meta.

“Qëllon që para se të shërbeja si kryetar bashkie, kam shërbyer si ministër i çështjeve sociale dhe rinisë. Një nga detyrat që m’u tha nga Kryeministri ishte që mos të mbetemi si Rusia, që është i fundit vend që nuk ka hapur dosjet. Meta ishte kryetar kuvendi. Ne vendosëm që të imitojmë procesin gjerman, në parimin e vërtetë dhe pajtim, për të thënë që këto të liga ia ka bërë shqiptari shqiptarit. Duke i ditur, ne emancipohemi”.

Duke theksuar se “këto janë të këqija që shqiptarët ia kanë bërë njëri-tjetrin”, Veliaj e sheh hapjen e Dosjeve si një proces të nevojshëm, që do ta ndihmonte dhe jo pengonte shoqërinë.

Para se të jepja dorëheqjen, dhashë dëshminë time për mënyrën time si e kam parë këtë proces, si qëllim i mirë për të hapur dhe pajtuar shoqërinë. Ai ligj ka hapur qindra dosje të klerikëve, të Partisë së Punës, të familjeve të ndryshme”.

Duke u ndalur te rasti i politikanit ‘spiun’ I.M. që ngriti dyshimet se mund të jetë ish-Presidenti Ilir Meta, Veliaj thotë se dosjet kanë të dhëna për të gjithë personat e përfshirë. Edhe nëse disa dosje janë zhdukur thotë ai, atyre personave i del emri në dosje të të tjerëve.

“Dosjet nuk janë të zhdukura. Unë mund të kem zhdukur dosjen time, por teksa kam spiunuar të tjerët, jam në dosjet e tyre”.

Në muajin korrik, Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit njoftoi se ka zbuluar një politikan të profilit të lartë politik, me inicialet I.M, që ka qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.

Nisur nga ky rast, Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Ligji aktual parashikon që ata politikanë që kanë certifikatë të pastër sigurie nga komisionet e ngritura gjatë fundit të viteve 1990, komisionet Mezini-Bezhani, të mos ndëshkohen nga autoriteti aktual.

Në letrën dërguar Kuvendit, autoriteti kërkon gjithashtu që të korrigjohet ligji për të verifikuar edhe këta funksionarë që kanë dalë të pastër në komisionet e mëparshme.

Top Channel