Sot protesta kombëtare/ Nga Kryeministria te Ministria e Arsimit, dy tubime që pritet të mobilizojnë Tiranën Dyshime për probleme nga ushqimi janë regjistruar në Vlorë, ku 7 raste kanë kërkuar shërbim në pediatri.
Gjashtë fëmijë, nga 7 në total, po marrin trajtim mjekësor në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas dyshimeve për helmim në kopshtin numër 10 të qytetit.
Të tjerë prindër konfirmojnë simptomat, por u kanë dhënë fëmijëve shërbim në banesë. Bëhet fjalë për fëmijët e Kopshtit nr. 10 në Vlorë, të cilët mbrëmjen e kaluar kanë pasur simptoma me bark e të vjella të vazhdueshme.
Dyshimet janë për helmim, sipas informacioneve që korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, disponon. Spitali ka lajmëruar Institutin e Shëndetit Publik, të cilët kanë marrë mostrat dhe presin përgjigjen e analizave se nga ka ardhur helmimi.
Ndërkohë, situata në spital është shoqëruar edhe me interesimin e efektivëve të Policisë, të cilët janë paraqitur në ambientet e pediatrisë për t’u informuar mbi gjendjen e fëmijëve. Mediat kanë hasur kufizime për të hyrë në repart, ndërsa mjekët po ndjekin gjendjen shëndetësore të të miturve.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për gjashtë fëmijë që po marrin trajtim mjekësor. Ndërkohë, priten rezultatet e analizave nga Drejtoria e Shëndetit Publik, të cilat pritet të hedhin dritë mbi shkakun e dyshuar të helmimit në kopshtin numër 10.
Shkaku i ngjarjes mbetet ende për t’u konfirmuar nga autoritetet përkatëse.
Top Channel