Nëna vritet nga bandat teksa kërkon të birin e zhdukur në territorin e kartelit të El Chapo-s (fotot)

02/09/2022 21:34

Një nënë është vrarë në Meksikë teksa kërkonte djalin e saj të zhdukur në zonat e kontrolluara nga kartelet e drogave në veri të vendit.

Trupi i Rosaria Rodríguez Barraza u gjet në Sinaloa, ku ajo po punonte me një organizatë aktivistësh në kërkim të mbetjeve të të birit të saj të zhdukur tre vjet më parë.

Zyrtarët deri tani kanë dhënë vetëm informacione të kufizuara për rrethanat e vdekjes së Barraza.

Kongesmenia meksikane e Sinaloa, Paloma Sánchez tha se gruaja ishte vrarë në shtëpinë e saj.

Ngjarja ndodhi në një zonë të njohur për luftën brutale mes bandave të drogës, ku më e fuqishmja është Karteli Sinaloa, i drejtuar më parë nga Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán.

Barraza po punonte me aktivistët e njerëzve të humbur të luftës së drogave, të njohur ndryshe si “Kërkuesit” dhe përbëhen kryesisht prej nënave që kërkojnë fëmijët e tyre të zhdukur pa asnjë gjurmë.

Për tu siguruar që ato të mos kthehen edhe vetë në objektivë të bandave, shumë kërkues të tillë nuk deklarojnë publikisht se kërkojnë prova për vrasësit e të dashurive të tyre, por thonë se kërkojnë vetëm një lamtumirë emocionale me të ndjerët.

“Unë po kërkoj për tim bir, jo për fajtorët”, ka thënë më parë Barraza në një video të postuar nga grupi i aktivistëve Hasta Encontrarles.

Por megjithë këtë, Barraza është bërë vullnetarja e tretë e këtij lloji që vritet me armë prej vitit  2021.

I biri i saj Fernando Ramírez Rodríguez, u rrëmbye në Sinaloa në tetor 2019. Ai ishte 20-vjeç kur rrëmbyes të armatosur e morën në La Cruz.

Një hetim i policisë nuk dha asnjë rezultat dhe autoritetet nuk arritën më të përcaktojnë nëse ai ishte ende gjallë.

“I dërgova atyre video, i solla dëshmitarë dhe deri tani nuk kanë arritur të bëjnë asgjë”, thoshte më herët e ndjera.

Guvernatori i Sinaloa, Rubén Rocha Moya shprehte keqardhje për ngjarjen duke thënë se fenomeni është kthyer në një plagë të shoqërisë vendore.

“Jam i trishtuar për vdekjen e Lillian Rosario Rodríguez Barraza, një luftëtare e palodhur që ashtu si gra të tjera nga Sinaloa kërkonin për të dashurit e tyre të zhdukur”.

Moya shtonte se qeveria do të hetonte vdekjen e Barraza, të cilin e quante “krim djallezor”.

Vdekja e Barraza u njoftua më 30 gusht gjatë protestave masive në kryeqytet ku qindra njerëz kishin ardhur me fotot e të dashurve të tyre të zhdukur, dhe me pankarta ku shkruhej: “Ku janë ata? Ku janë fëmijët tanë?”

FOTO GALERI
2/3
Barraza po punonte me aktivistët e njerëzve të humbur të luftës së drogave, të njohur ndryshe si “Kërkuesit”

Top Channel