Bruno Fernandes ka rezultuar një nga afrimet më të rëndësishme për Manchester United në vitet e fundit. Portugezi i transferuar në merkaton dimërore të vitit 2020 nga Sportingu i Lisbonës, është shndërruar menjëherë në një element pa të cilin “Djajtë e Kuq” vuajnë në fushë teksa mjaftojnë statistikat për të kuptuar rolin e fantazistit.
Në 130 prezenca për United, Fernandes ia ka dalë të shënojë 51 gola pa llogaritur edhe asistet që janë një pikë e fortë e 27-vjeçarit. Së fundmi, Feernandes ka zbuluar se është një tip supersticioz dhe para se të zbresë në fushë, ka disa rituale që i ndjek gjithnjë. “Bëj gjithnjë të njëjtat gjëra, më pëlqen të gatuaj vetë mëngjesin apo drekën në varësi të orarit të ndeshjes.
Më pëlqen të flas me fëmijët dhe bashkëshorten para se të nisem nga hoteli sepse në autobus më pas nuk ia ngre telefonin askujt. Dua të përqëndrohem për ndeshjen dhe sapo mbërrij në Old Trafford, për mua është njësoj si të ketë nisur ndeshja. Këto janë disa nga ritualet që ndjek, por është edhe një tjetër. Gjithnjë futen në fushë me këmbën e majtë sepse besoj se diçka e tillë më ndihmon, jo që të kem një përformancë më të mirë, por që të jem vetvetja”, u shpreh Fernandes.
Top Channel