Karnivalet e Londrës rikthehen me zhurmë e eksese, me dhjetra të arrestuar e kërcimtarë të plagosur prej kaosit (video-foto)

29/08/2022 15:32

Karnivalet e Notting Hill u rikthyen dje në qendër të Londrës për herë të parë prej vitit 2019 dhe ashtu siç pritej festuesit treguan etjen për zbavitje me skena kaosi e incidente të rrezikshme që janë bërë virale në rrjetet sociale.

Në një prej tyre disa festues shihen që ngjiten të kërcejnë mbi strehën e një ndalese autobusi, e cila nuk arrin të përballojë peshën e tyre e shembet duke i lëshuar të gjithë përtokë, fatmirësish pa plagosje serioze.

Policia tha se kishin bërë 38 arrestime, duke përfshirw dhe dhjetë për sulm fizik dhe dy për sulme seksuale.

Ndërsa në një tjetër video shihen dy burra që rrihen me grushte para se të ndahen nga turma, teksa të tjerët rreth tyre kërcenin e këndonin një këmgë të Bob Marley.

Sipas raportimeve një kalë i policisë humbi ndjenjat dhe ngordhi teksa ishte në detyrë, mbrëmjen e djeshme.

Numri i sivjetshëm i arrestimeve ishte gjithsesi më i ulët sesa festat e viteve të mëparshme  ku ndalimet kanë qenë gjithnjë më shumë se 300. Por autoritetet vlerësojnë eventin që sjell në kryeqytet mijëra turistë të huaj dhe gjeneron të ardhura për ekonominë.

Karvivali londinez i Notting Hill është më i madhi në Evropë dhe më shumë se 2 milionë njerëz marrin pjesë në të, gjatë eventeve që vijojnë edhe sot.

Ai nisi në vitin 1966, kur rreth 1,000 njerëz organizuan festën në homazh të kulturës afrikane dhe të rajonit të Karaibeve në Londër.

Infermierja Carina Charles, 40 vjece tha: “Kjo ka të bëjë me njerëzit që bëhen bashke, me të gjitha kulturat e tyre. Muzika e karaibeve, ‘soca’ është ajo që më pëlqen më shumë”.

Fëmijë shiheshin në hyrjet e shtëpive të tyre, duke valëvitur flamurë xhamajkianë.

FOTO GALERI
1/14
Fillimisht nje vajze ngjitet te kerceje mbi strehen e autobsit ...

Top Channel