Agjencia e Sigurisë së Malit të Zi (ANB) konfirmoi më 26 gusht për Radion Evropa e Lirë se shërbimet ruse ishin përgjegjëse të një sulmi të fuqishëm kibernetik që preku të gjithë strukturën shtetërore të informacionit të Qeverisë së Malit të Zi.
Sipas agjencisë, sulmi i së premtes ishte i parapërgatitur prej kohësh dhe se një sulm i të tilla përmasave ishte i paprecedentë në shtetin ballkanik.
“Infrastruktura kritike shtetërore është sulmuar”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Agjencisë së Sigurisë së Malit të Zi.
Sulmi i fundit kibernetik në infrastrukturën qeveritare të Malit të Zi ndodhi herët në mëngjes, dhe agjencitë qeveritare nuk e kanë bërë ende të ditur shkallën e dëmit.
Më herët, kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviç, konfirmoi se qeveria e Malit të Zi është sulmuar nga hakerat për herë të dytë në pesë ditë, duke i quajtur sulmet të motivuara politikisht.
“Në gjykimin tim modest, ky është një sulm i motivuar politikisht“, tha Abazoviç, duke kujtuar edhe sulmin e mëparshëm kibernetik në 23 gusht pasi qeveria e tij u rrëzua pas mocionit të mosbesimit.
Për shkak të sulmit të fundit kibernetik, qeveria e Malit të Zi ka caktuar një seancë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit.
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ishte i pari që e bëri njoftimin mëngjesin e sotëm në llogarinë e tij në Twitter, kur deklaroi se Mali i Zi ishte i ekspozuar ndaj një serie të re sulmesh kibernetike mbi infrastrukturën informative të qeverisë.
“Objektivi kryesor është struktura e organeve shtetërore”, tha Dukaj, duke shtuar se “aleatët janë informuar” për sulmet. Zyra e Brendshme dhe prokuroria po hetojnë sulmet e deritanishme në Infrastrukturën Informative të qeverisë së Malit të Zi.
Top Channel