Gjermania dërgon 500 mln euro armë të reja në Ukrainë, SHBA 3 miliardë USD ndihma

24/08/2022 13:14

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar furnizime të reja të mëdha të armëve për Ukrainën.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi për agjencinë e lajmeve, dpa gjatë udhëtimit të kancelarit në Kanada, se Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me tre sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe një duzinë tankesh.

Edhe agjencia e lajmeve Reuters njofton, duke cituar burime qeveritare, se kancelari Scholz njoftoi në kuadër të vizitës së tij në Kanada, dërgesa të reja armësh në Ukrainë. Në total bëhet fjalë për pajisje ushtarake me vlerë më shumë se 500 milionë euro.

Në këtë mënyrë qeveria gjermane do të rrisë ndjeshëm furnizimet e saj me armë në Ukrainë. Veç tre sistemeve të mbrojtjes kundërajrore që është planifikuar të dërgohen dhe tankeve, do të dërgohen 20 raketahedhës.

Kësaj i shtohen municionet precize dhe pajisjet luftarake me dron, u tha. Prandaj, materiali duhet të vihet në dispozicion këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Sipas informacionit, komisioni i buxhetit i Bundestagut duhet të japë miratimin e tij. Nëse Rusia po shpresonte që ndihma ndërkombëtare për Kievin do të vijë duke u zbehur, kjo nuk do të ndodhë, thonë ekspertë të huaj.

Uashingtoni gjithashtu duket se po e shndërron në një fushatë afatgjatë ndihmën e sigurisë për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon agresionin në Ukrainë. Zyrtarët amerikanë thonë se ka gjasa që SHBA të mbajë më shumë trupa ushtarake në Evropë në të ardhmen, përfshirë planet për një ndihmë shtesë prej rreth 3 miliardë dollarësh për të trajnuar dhe pajisur forcat ukrainase për të luftuar për disa vite.

Ndryshe nga shumica e ndihmave të mëparshme, paketa synon kryesisht të ndihmojë Ukrainën që të sigurojë një mbrotje afatmesme dhe afatgjatë, sipas zyrtarëve me njohuri mbi çështjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA