Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin Top Talk në Top Channel foli për draftligjin e amnistisë fiskale.
Ai theksoi se nuk do të amnistohet, por do të deklarohen asete që mund të përfshijë sende me vlerë, kriptomonedha, aksione apo para.
“Nuk amnistohet diçka, por lejohet të legalizohen asetet që përfshijnë që nga monedha e deri teka asetet e tjera. Praktikisht kur kemi parë ligjin italian, spanjoll, turk, norvegjez të cilët i fusin të gjitha që nga monedhat, aksionet, se mund të kenë aksione në shtete të tjera, apo edhe bitcoin. Drafti është shpërndarë në datë 23 përfundon konsultimi publik, reaksioni i njerëzve është interesant. Në këto raste të gjitha ndjesitë janë aty prezente, dëshira për të deklaruar, pikëpyetja nëse e kanë seriozisht apo jo, a duan të ekspozohen apo jo”, tha Ahmetaj.
Amnistia parashikohet të zbatohet për një periudhë 9-mujore dhe tavani i vendosur për deklarimin vullnetar është 2 milionë euro. Kjo amnisti fiskale dhe penale synon ligjërimin e pasurive të padeklaruara, qofshin këto para apo prona, rishikimin e pasqyrave financiare të bizneseve.
Draftligji parashikon që pasuritë e deklaruara të mos transferohen jashtë vendit për një periudhë 5-vjeçare, në të kundërt kush nuk respekton afatin e përcaktuar duhet të paguajë penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.
Procesi i konsultimit pritet të zgjasë në kohë dhe ligji sipas qeverisë mund të kalojë në parlament në sesionin e ardhshëm parlamentar.
Top Channel