Në një kohë tensionesh të larta politike, ushtria kineze nis stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit Furnizimi me gaz rus në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit “Nord Stream 1” në Detin Baltik është ndërprerë për 10 ditë.
Operatorët e tubacionit të mbështetur nga Rusia thonë se masa është për shkak të punës vjetore të mirëmbajtjes, por ministrat gjermanë besojnë se mbyllja është e motivuar politikisht për të ushtruar presion mbi Berlinin.
Muajin e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se presidenti rus Vladimir Putin po përdor gazin “si armë” në përgjigje të sanksioneve të BE-së.
Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom shkurtoi rrjedhat e gazit përmes “Nord Stream 1” në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit.
Qeveria gjermane është e shqetësuar se furnizimet me gaz mund të reduktohen ose të ndërpriten përgjithmonë.
Sipas BBC kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë dhe se Evropa duhet të përgatitet tani.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, Gjermania ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35% dhe dëshiron të ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia.
Por nëse furnizimet ruse ndërpriten papritur brenda natës, kjo mund ta çojë Gjermaninë në një recesion të madh, sepse industri të tëra mbështeten në gaz dhe shumica e shtëpive gjermane e përdorin atë për ngrohje.
Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani janë aktualisht rreth 64% plot, raporton transmetuesi gjerman ZDF.
Familjet gjermane dhe shërbimet kryesore si spitalet do të kenë përparësi për furnizimin me gaz sipas një plani të urgjencës së qeverisë.
Top Channel