Pas mësymjes, protestuesit i vënë zjarrin rezidencës së presidentit në Sri Lanka (fotot)

09/07/2022 19:42

Mijëra protestues kundër varfërisë dhe ngritjes së çmimeve që bastisën sot rezidencën e presidentit në kryeqytetin e Sri Lanka, i kanë vënë asaj zjarrin, disa orë pasi kreu i shtetit tha se do të dorëhiqej “kur të formohet qeveria e re”.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale shihet një tym i kuq që ngrihet nga rezidenca dhe më pas flakët që përfshijnë ndërtesën.

Kjo e presidentit, bëhet kështu shtepia e disate e zyrtarëve politikë qe jane djegur nga protestuesit javët e fundit.

Zyra e kryeministrit Ranil Wickremesinghe tha më herët se protestuesit kishin hyrë me forcë edhe në shtëpinë e tij të shtunën. Nuk është e qartë nëse ai ishte brenda ndërtesës në kohën e sulmit, por njoftoi se do të jepte dorëheqjen kur partitë të binin dakord për një qeveri të re.

Reagimi ishte një përgjigje ndaj kërkesës së partive politike për dorëheqjen e tij dhe të presidentit Gotabaya Rajapaksa, pasi qindra mijëra njerëz kanë dalë në demonstrata për të shprehur zemërimin e tyre ndaj rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike e politike në vend.

Por ai bënte të qartë se nuk do të largohej pa u formuar qeveria e re, duke zemëruar turmat që iu afruan shtëpisë së tij për ta detyruar të largohej menjëherë.

Presidenti Gotabaya Rajapaksa u largua sot nga rezidenca e tij zyrtare për të shpëtuar nga turma e zemëruar e protestuesve ndërsa ka rënë dakord të dorëhiqet javës që vjen, njoftonte kryetari i parlamentit Mahinda Abeywardana.

“Për të siguruar një tranzicion paqësor, presidenti do të dorëhiqet më 13 korrik”, tha Abeywardana në një deklaratë televizive.

Në pamjet e shpërndara gjerësisht shiheshin sot protestues me flamurë të Sri Lanka e disa me helmeta, që notonin në pishinën e shtëpisë së presidentit, para se ajo te digjej.

Ishulli me 22 milionë banorë po përjeton mungesa të rënda furnizimesh me ushqim e karburant, në krizën më të rëndë ekonomike që prej pavarësisë në 1948.

Masa më e madhe e zemërimit është drejtuar nga familja e dinastisë politike Rajapaksa, të cilën protestuesit fajësojnë për futjen e Sri Lankas në kaos prej korrupsionit, keqmenaxhimit e nepotizmit.

FOTO GALERI
3/10
Zyra e kryeministrit Ranil Wickremesinghe tha më herët se protestuesit kishin hyrë me forcë edhe në shtëpinë e tij të shtunën

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA