“Mos të bëhet si Al Capone”/ Fidel Ylli: Kryeministri e di që bastet lulëzojnë në mes të ditës, shteti t’i kontrollojë dhe paratë të shkojnë në buxhet

28/06/2022 22:15

Bastet sportive janë të ndaluara me ligj në vendin tonë, por në realitet zhvillimi i tyre nuk është ndërprerë asnjëherë.

Në faqe on line, të pa licensuara, shqiptarët vazhdojnë të hedhin baste. Kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, kërkon që bastet sportive të rikthehen, por të jenë në kontrollin e shtetit.

Në një intervistë me gazetarin Sokol Balla, në Top Story, Ylli shprehet se të gjithë janë të vetëdijshëm se bastet organizohen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, por nuk merret asnjë masë.

Shteti të jetë përgjegjës, t’i kontrollojë, mos të bëhet si Al Capone që fuste alkoolin kontrabandë dhe shteti nuk merrte asnjë lekë.

Duhet të jemi të qartë, këto duhet t’i kontrollojë shteti, jo private. Është gjithë bota që ndjek modele të ndryshme. Paratë që sot i merr rruga, t’i marrë rinia, t’i marrë sporti. Ne duam të ulemi të flasim, se nuk është normale që ne i kemi bërë një peticion kryeministrit të vendit dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Që luhet baste e di kryeministri, e di zëvendës kryeministri, e di Ministria e Financave, Ministria e Sportit, deputetët. Të gjithë e dinë! Dhe unë them si ka mundësi që të gjithë e dinë që bastet lulëzojnë në mes të ditës. Dhe heshtin, dhe paratë nuk i merr shteti”.

Kreu i KOKSH, kërkon të bëhet liberalizimi i tregut dhe të përfitojnë sportistët.

“Ti thua kam njëmijë lekë, do luaj. Dhe ti ke mundësi që me njëmijë lekë, të fitosh dhe njëqind mijë dollarë. Dhe ti ato dollarë i ke të pastra, i fut në bankë, i ke të certifikuara, sot janë të zeza të gjitha paratë. Pastrimi i parave nuk kontrollon asgjë. Miliona para luhen sot në mes të ditës, me 50 milionë për ndeshje. Çfarë janë këto para, nga vijnë. Ne themi të zgjohemi, ta shkundim qeverinë. Nëse i mbylli, bëri mirë që i mbylli, por duhet të studiojë si do t’i hapë. Aty luhet sport, t’ia japë pjesën e luanit sportit. Që ne të mos kërkojmë lëmoshë, që sportistët tanë të mos marrin rrugën për të emigruar”.

 

Top Channel