Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar me anë të një videoje në Facebook, në lidhje me arrestimet që u bënë ditën e djeshme për vrasjen Pjerin Xhuvanit në Elbasan me 21 prill të vitit 2021.
Basha tha në postimin e tij se vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në “masakrën zgjedhore të 25 prillit”.
Ai bëri thirrje që para drejtësisë të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që sipas tij gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.
Ditën e djeshme Zv/drejtori për rendin e sigurinë publike në Berat, Albert Nushi dhe ish Zv/drejtori për rendin dhe sigurinë publike në Elbasan, Nikollaq Palla janë dënuar me arrest shtëpie, pasi hetimet i nxorën fajtorë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”, për çështjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së katër të tjerëve, ne prill të vitit të kaluar në Elbasan.
Top Channel