Irma Lydya, këngëtarja meksikane 21-vjeçare që u vra nga burri i saj i ligjshëm, avokati 79-vjeçar, kishte tentuar të divorcohej prej dy muajsh para se Jesús Hernández ta qëllonte për vdekje brenda një restoranti në kryeqytetin Mexico City.
Lydya po darkonte te ‘Suntory’, një restorant japonez në zonën ekskluzive Benito Juárez, kur Hernández e qëlloi për vdekje në dhomën e saj private të enjten.
Hernández dhe roja e tij personale Benjamin Hernández, u ndaluan në restorant teksa tentonin të largoheshin.
E përditshmja vendase ‘Excelsior’ shkruante se artistja e muzikës popullore vendase kishte kontaktuar me një avokat për nisjen e procesit të divorcit, pasi kishte bërë një seri denoncimesh për dhunë shtëpiake, duke dhëne si prova shenjat e goditjeve në fytyrë.
Lydya kishte raportuar në polici pasi Hernández e kishte rrahur në dhjetor 2021, teksa në një rast tjetër e kishte kërcënuar me armë.
Por megjithë episodet e dhunës Lydya kishte vendosur t’i jepte një shans të dytë martesës së saj.
Nuk dihet prej sa kohësh Lydya ishte e martuar me Jesús Hernández.
Një dëshmitar tha për rrjetin Univision se Jesús Hernández kishte qëlluar Lydya disa herë nga afër, dhe një prej plumbave e kishte kapur në kokë.
Lydya pritej të performonte në fundjavë në një koncert në Glendale, Kaliforni, në një seri eventesh që bëjnë bashkë këngëtarë të njohur të SHBA dhe Amerikës Qendrore.
Kërkesa e Jesús Hernández për t’u mbajtur në arrest shtëpie u refuzua nga gjykata.
Ai pritet të dalë në gjyq të enjten.
Top Channel