Bashkimi Evropian konfirmon se të martën, më 21 qershor në Bruksel do të ketë takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në të cilët do të jetë në rend dite marrëveshja për energji dhe përgatitjet e një takimi të nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, që prej një viti nuk zhvillohen.
I dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, do të jetë mikpritësi i një raundi tjetër të takimeve në kuadër të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve, njoftoi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.
BE-ja pret që në këtë takim në nivel krye-negociatorësh të ketë një konsensus konkret për zbatimin e marrëveshjes për energji e mundësisht edhe nënshkrimin e një deklarate për të çështjen e të pagjeturve.
Sa i përket marrëveshjes për energji diplomatët sipas REL, thonë se bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje që ishte arritur në vitin 2013-të, e konfirmuar në vitin 2015-të, dhe tashme palët vetëm do të pajtohen për planin e implementimit të saj. BE pritet të ketë rolin e lehtësuesit edhe për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Ndërsa për mundësinë e takimit të nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidenti të Serbisë, burimet e BE-së thonë se kjo do të varet nga gatishmëria e palëve për të arritur rezultate konkrete në dialog.
Nëse në takimin në nivel të krye-negociatorëve të martën do të ketë rezultat atëherë edhe mundësitë për një takim në nivel të lartë do të jenë më të.
Top Channel