Dy komandantë të lartë të luftëtarëve që mbronin fabrikën e çelikut Azovstal e cila ndodhet në qytetin-port në juglindje të Ukrainës, Mariupol, janë dërguar në Rusi për t’u hetuar. Lajmi u bë i ditur të dielën nga Agjencia Shtetërore ruse e Lajmeve, TASS.
Fati i qindra luftëtarëve të kapur nga forcat ruse në muajin maj, pas një rrethimi një mujor të Mariupolit, vijon të mbetet i paqartë. Moska tha në atë kohë se ata ishin zhvendosur në zona të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.
Duke cituar një burim të paidentifikuar rus të strukturave të zbatimit të ligjit, agjencia TASS bëri të ditur të shtunën vonë në mbrëmje se Svyatoslav Palamar, me detyrën e zëvendës komandantit të batalionit Azov dhe Serhiy Volynsky, komandanti i Brigadës së 36-të Detare të Forcave të Armatosura të Ukrainës, ishin dërguar në Rusi.
Duke iu referuar të njëjtit burim TASS tha se dy ushtarakët ukrainas ishin transferuar nga oficerët e forcave speciale prej Donetskut në Rusi, me qëllim zhvillimin e hetimeve. Po sipas agjencisë ruse në Rusi ishin dërguar edhe oficerë të tjerë të njësive të ndryshme ukrainase.
Agjencia “Reuters” nuk mundi të verifikonte menjëherë raportin dhe Kievi nuk ka reaguar ende mbi këtë çështje. Në fillim të këtij muaji, Ukraina tha se shërbimet e saj të zbulimit ishin në komunikim me luftëtarët e kapur në fabrikën e çelikut Azovstal.
Batalioni Azov, është një njësi ushtarake e këmbësorisë që operon tërësisht mbi baza vullnetare. Ai u krijua në vitin 2014 si një milici vullnetare e krahut të djathtë ekstrem për të luftuar separatistët e mbështetur nga Rusia. Ky batalion së bashku me njësinë e Brigadës së 36-të të Marinës, ishin kyç në mbrojtjen e fabrikës së çelikut.
Kievi po kërkon dorëzimin e të gjithë luftëtarëve në një shkëmbim të të burgosurve me Moskën, por disa ligjvënës rusë duan që disa prej luftëtarëve të përballen me procese gjyqësore. Agjencitë ruse raportuan në fillim të qershorit se më shumë se 1000 luftëtarë të batalionit Azov ishin dërguar në Rusi për hetim, por pa dhënë detaje se ku.
Top Channel