Gjoba të reja informaliteti/ Kush nuk deklaron pagën duhet të paguajë 200% mbi detyrimet

17/06/2022 15:32

Financat kanë hedhur në konsultim publik ndryshimet ligjore për të dyfishuar gjobat për bizneset që nëndeklarojnë pagat e punonjësve.

Bizneset përveç se do të paguajnë shumën që i detyrohen Tatimeve dhe kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhën kur është evidentuar shkelja do t’i shtohet edhe një gjobë në masën 200% mbi detyrimet e rivlerësuara. Në maj Ministrja shprehej se kjo bëhej për ndërgjegjësim

 “Këto penalitete i përshkallëzojmë jo për arsye sepse duam të vendosim penalitete dhe duam të gjobisim bizneset, por ne duam të rrisim ndërgjegjësimin, duam të bëjmë të mundur që bizneset të mos kryejnë më evazion në drejtim të mos deklarimit të pagave. Kjo është një masë për të nxitur akoma më shumë vetë deklarimin”, tha ministrja.

Skandali i rrjedhjes së pagave dhjetorin e vitit të kaluar detyroi qeverinë të merrte një fushatë kundër informalitetit të pagave. 10 mijë letra iu dërguan atyre që u quajtën tatimpagues të rrezikshëm, ndërsa u deklaruan ndëshkime të rrepta për evazionistët.

Pasi afati përfundoi Financat prezantuan një raport, ku u evidentua se për 51 mijë të punësuar është reflektuar rritja e pagave me mbi 10 mijë lekë të reja dhe se ishte ulur me 52 % numri i pozicioneve të punës me pagë minimale për tatimpaguesit me risk.

Presioni mbi deklarimin real të pagave vjen në kohën kur gropa e sigurimeve shoqërore po thellohet. Në këto kushte nëse vijohet në këtë drejtim pas disa vitesh do jetë e pamundur të paguhen pensionet. Stoku i borxhit për sigurimet e papaguara shoqërore arriti në 17,7 miliardë (144 mln euro) në fund të vitit 2021 me një zgjerim 4.1 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA