Të gjithë vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale nga 1 janari 2023 do të tatohen në mënyrë progresive.
Në draftin e zbardhur të Financave që është hedhur për konsultim publik, përcaktohet se kjo kategori që deri më tani nuk taksohej pasi përfitonte nga lehtësitë si biznes i vogël, për të ardhurat nga 0 deri në 14 milionë lekë nga veprimtaria e tyre do të tatohet me 15%, ndërsa nëse kalojnë këtë nivel të ardhurash norma e tatimit shkon në 23%.
Lista me profesionistët e lirë që do të përfshihen në këtë skemë taksimi do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, pas miratimit të ligjit.
Po njëlloj do të tatohen edhe të ardhurat nga biznesi për individët tregtar, pra subjektet e vogla . Por, ndryshe nga profesionet e lira, për individët tregtarë futja në këtë skemë të re taksimi nuk parashikohet së afërmi dhe ligji i ri nuk përcakton një afat kohor se kur mund të ndodhë kjo.
Drafti specifikon se deri më 2029 lehtësitë do të mbeten në fuqi dhe gjitha bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë (përveç të vetëpunësuarve profesionistë të lirë) do të vazhdojnë të paguajnë 0 tatim fitimi.
Edhe pse fokusi do të jenë profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime , ligji sjell shumë ndryshime që prekin edhe kategori të tjera. Kështu, individët me të ardhura vjetore nga 0 deri në 2.040.000 lekë do të paguajnë 13% tatim, ndërsa për tatimpaguesit që tejkalojnë këtë kufi të ardhurash aplikohet norma maksimale e taksimit 23%.
Me ndërhyrjet e reja Financat kanë rishikuar edhe pragun për deklaratën vjetore të të ardhurave personale. Nëse aktualisht detyrimin për dorëzimin e saj pranë Tatimeve e kanë të dypunësuarit dhe individët me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë, tashmë më ligjin e ri kufiri ulet.
Sipas formulës së re, do të duhet që të gjithë individët që marrin të ardhura vjetore nga puna më shumë se 1.2 milionë lekë të plotësojnë deklaratën e të ardhurave.
Top Channel