Ndërpritet seanca e kuvendit, mbyllet dhe protesta e veteranëve në Kosovë

16/06/2022 17:09

Veteranët protestuan sot para kuvendit të Kosovës pasi një ditë më parë, deputetët miratuan në parim projektligjin për caktimin e pagës minimale i cili i mënjanon ata.

Por, me mbylljen e seancës parlamentare, edhe veteranët po largohet nga ambientet e jashtë të kuvendit, ku qëndruan këtë të mërkurë.

Veteranët e kanë përfunduar protestën mbi tetë orëshe, duke shpërndarë lule për zyrtarët policorë që ishin në barrikadë. Kështu veproi njëri nga veteranët protestues, duke thënë se zyrtarët policor janë të popullit dhe kanë respekt për ata.

Përfaqësuesit e veteranëve do të takohen nesër me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Financave, Hekuran Murati si dhe kryetarin e Komisioni për Buxhet, Armend Muja.

Projektligji i miratuar parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

Veteranët kanë kërkuar që ky Projektligj të mos miratohet edhe në një protestë që kanë zhvilluar para Kuvendit më 6 qershor.

Projektligji i miratuar në parim është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë, duke u konsideruar si diskriminues ndaj veteranëve.

Top Channel