Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës veprimet e punonjësve të Burgut të Rrogozhinës, të cilët kanë vjedhur një ish të dënuar.

Por, megjithëse ngjarja ka ndodhur 7 vite më parë, asnjë prej institucioneve, duke filluar nga Burgu i Rrogozhinës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo Ministria e Drejtësisë, nuk i kanë dhënë zgjidhje këtij rasti, duke sorollatur ish të dënuarin.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Xhelo Kumri, nga Fieri, i cili ka qëndruar në Burgun e Rrogozhinës në vitet 2014-2015, ku ka pasur në arkën e këtij institucioni një shumë prej 540 mijë lekësh të vjetra. Në momentin që u lirua, ai ka marrë një vërtetim për këtë shumë, por i kanë thënë se ia kanë vjedhur.

Xhelua tregon se ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe vuajtjen e dënimit e ka bërë në Rrogozhinë. “Gjatë kohës që kam qëndruar në burg më kanë sjellë të afërmit shuma të vogla parash, të cilat i kam grumbulluar dhe i kam vendosur në arkën e Burgut të Rrogozhinës. Sa herë që vinin të afërmit me linin para’. Këto para’ unë i lashë në arkë për siguri” thotë ai.

Në datën 11 qershor 2015, Xheloja ka dalë nga burgu dhe ka shkuar te arka për të kërkuar këtë shumë. Punonjësit fillimisht i kanë thënë që të firmoste një letër që s’ka pasur sende apo vlera monetare për të marrë, por ai ka këmbëngulur dhe ka kërkuar paratë. Pas disa minutash, punonjësit i kanë thënë se arka është vjedhur nga punonjës të burgut. Ata i kanë firmosur një vërtetim, që mban datën 11 qershor 2015, ditën kur është liruar nga burgu, që vërteton se Xhelo Kumria ka pasur në arkë 54.045 lekë të rinj. Por, ai s’e ka marrë se s’ka pasur lekë në arkë! Ndërkohë, prej 7 vitesh, ish i dënuari ka trokitur në të gjitha institucionet për të marrë paratë.

Xhelo thotë se, deri më sot, megjithëse është ankuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në Ministrinë e Drejtësisë, apo edhe në institucione të tjera, nuk e ka marrë këtë shumë. Të gjithë ia pranojnë se ka pasur lekë në burgun e Rrogozhinës, por askush nuk ia jep, pasi i thonë se “kanë kallëzuar punonjësit që i kanë marrë këto lekë”. Denoncuesi shkoi dhe u interesua te Burgu i Rrogozhinës, teksa një punonjës i thotë se duhet të kthehet për disa minuta. Ai shkon sërish dhe merr informacion se paratë ia kanë marrë në burg, por burgu nuk ia ka marrë atyre që i vodhën! “Është çështja në proces gjyqësor. E dimë që t’i kanë vjedhur paratë por institucioni s’ka para. Duhet t’ua marrë atyre që i kanë vjedhur. Ti e di si vepron shteti” i thanë punonjësit.

Pas këtyre përgjigjeve, Fiks Fare, i dërgoi një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas tyre, problemi i ish të dënuarit Xhelo Kumria “është një problem i njohur, i konstatuar që në vitin 2013″. Sipas tyre, për 3 punonjësit e financës është bërë kallëzim penal dhe nga burgjet është kërkuar me padi regresi kthimi i shumës, por çështja është ende në gjyq”.

Ndërkohë, këtë përgjigje, qytetari e ka marrë prej vitesh me radhë. Në vitin 2016, sipas një shkrese, Burgjet i kanë kthyer përgjigje se janë kallëzuar në prokurori ish-punonjësit Ibrahim Xibraku, Servet Kasa dhe Lime Xani. Prokuroria i ka marrë të pandehur dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Madje, edhe në këtë shkresë të 2016-ës, burgjet citojnë se “janë zhvilluar 2 seanca gjyqësore, të cilat janë shtyrë”.

Ndërkohë, edhe pas 6 vitesh, qytetari mori të njëjtën përgjigje se “çështja është në gjyq”. Por, në asnjë vit apo në asnjë shkresë, këto institucione nuk kanë vepruar, duke mos i kthyer shumën që i është vjedhur brenda burgut.

 

 

 

FOTO GALERI
2/10

Top Channel