Reshjet e dendura të shiut përmbytin rrugët në Vlorë, alarm për pusetat e bllokuara dhe ujin pranë banesave Familja e shtetasit Erkan Nika, i cili punonte si inxhinier i dytë në një anije turke të sulmuar me dronë, i bën apel shtetit shqiptar të përfshihet në kërkimet për gjetjen e 28-vjeçarit.
Babai i tij, Rexh Nika, gjatë një interviste për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, ai bën thirrje për ndihmë nga Turqia.
“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, u shpreh Nika.
Familja Nika jeton në Turqi prej 1997 dhe Erkani punonte prej vitesh në anijen e mallrave Aroyat, e cila u sulmua në Detin e Zi pranë portit Novorossiysk. I ati thotë se anija u nis nga porti i Durrësit dhe se në bord gjendeshin 16 anëtarë. Por i zhdukur rezulton vetëm Erkani.
“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë më 23 shtator. Në darkë para se të flija, i kam bërë mesazh, një lutje. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, shton babai i Erkanit.
Sulmi me dronë ndodhi më 27 shtator dhe rezulton se ekuipazhet shpëtuan vetëm 15 anëtarë, ndërsa inxhinieri Nika nuk është në këtë listë.
Top Channel