BE kundër Trump për naftën ruse, Kallas: Po financon luftën e Moskës. Të hënën, sanksione të reja ndaj Rusisë

10/10/2026 22:57

Diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kundërshtuar marrëveshjen e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun rus, Vladimir Putin, për pezullimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj naftës ruse.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme paralajmëron se lehtësimi i kufizimeve ndaj naftës ruse i siguron Moskës më shumë të ardhura për të financuar luftën në Ukrainë. Në një postim në rrjetet sociale, Kallas thekson se ky nuk është momenti për të ulur presionin ndaj Rusisë.

“Sulmet ruse kanë vrarë mbi 80 civilë ukrainas brenda dy ditësh. Për më tepër, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj hibride kundër Evropës, duke synuar si shtetet anëtare të BE-së, ashtu edhe aleatët e NATO-s”, shkruan Kallas.

Ajo shton se pezullimi i sanksioneve ndaj naftës ruse i garanton Moskës të ardhura shtesë për të financuar luftën.

“Tani nuk është koha për të lehtësuar presionin mbi Rusinë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, shprehet zyrtarja e lartë e BE-së.

Kallas njofton gjithashtu se të hënën ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të miratojnë paketën më të gjerë të sanksioneve kundër Rusisë.

Reagimi i diplomates evropiane vjen pas marrëveshjes mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për furnizimin e tregjeve amerikane dhe atyre botërore me qindra mijëra tonë naftë ruse, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve.

Çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje të fortë pas nisjes së luftës amerikano-izraelite në Iran, në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Top Channel