Pasojat e rënda të inkursioneve ajrore të Izraelit në qiejt e Libanit, zbulohen nga studimi (fotot)

13/06/2022 21:39

Studimi dokumenton të paktën 22,000 fluturime të jashtëligjshme 15 vitet e fundit në Liban dhe pasojat e tyre psikologjike në popullsinë e vendit.

Prej disa dekadash uturima e avionëve ushtarakë të Izraelit dhe e dronëve të mbikqyrjes ka qenë një e keqe e zakonshme në qiejt e Libanit, duke fluturuar mbi qytete sipas qejfit të tyre, e duke vepruar si një kujtesë e frikshme se lufta nuk është asnjëherë larg, shkruan e perditshmja britanike The Guardian.

Studimi i publikuar në fundjavë demonstron sesa ndërhyrëse është prezenca e tyre teksa të paktën 22,000 inkursione ajrore janë dokumentuar në 15 vitet e fundit.

Zhurmat e tyre janë një kolonë e përhershme zanore e jetës në Liban dhe një kërcënim i vazhdueshëm për psikologjinë kolektive të vendit.

Studimi i agjencisë AirPressure.info, tregon se avionët e Izraelit kanë pushtuar qiejt e Libanit për të paktën  8.5 nga 15 vitet e fundit. Shumica e avionëve në fjalë janë gjuajtës të avancuar ose avionë mbikqyrjeje me të cilët mbrojtjet tokësore të Libanit as që mund të maten.

Një hartë e fluturimeve të avionëve e dronëve tregon një rrjetë të gjerë vijash e harqesh në shumicën e qyteteve të Libanit.

Fluturimet janë të përqendruara në jug të vendit dhe duket se ndjekin itinerare të përcaktuara, por kryeqyteti Beirut është destinacioni më i frekuentuar, ashtu si dhe zonat në veri të kryeqytetit pranë kufirit me Sirinë.

Lawrence Abu Hamdan, i cili hartoi studimin e gjerë, thotë se fluturimet kanë dëmtuar jetën e atyre që jetojnë poshtë tyre.

AirPressure.info ka bërë 11 vlerësime ku detajohet se efektet e rënda psikologjike të njerëzve të gjallë variojnë nga hipertensioni, reduktimi i qarkullimi të gjakut dje çrregullimet psikosomatike.

Është pak i llogaritur por i kuptueshem efekti psikologjik i avionëve të një vendi të huaj që dominojnë qiejt e një popullate civile, të cilët shpeshherë fluturojnë ulët duke shkaktuar alarm e panik.

“Këtu në Liban secili fluturim ndjehet si një moment kalimtar dhe çdo rezident i ndjen ato në mënyra të ndryshme. Unë jam këtu për t’i paraqitur si një event i akumuluar, si një krim i zgjeruar që ndodh prej 15 viteve të fundit”, thotë Abu Hamdan.

“Kjo është akumulimi i një atmosfere të zgjatur dhune, që ka potencialin për të mos u vënë re, por nuk mund të injorohet më. Përse një popullatë duhet të jetojë në një mbikqyrje e qiell të tillë armiqësor, aq sa të imponohet në jetën e përditshme?”

Shifrat janë hartuar nga 243 letra që Libani i ka dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që shpeshherë furnizoheshin dhe nga vetë përfaqësia e OKB në Liban, ose nga ushtria e Libanit.

Izraeli thotë se inkursionet e tij në Liban bëhen për të mbledhur inteligjencë ndaj grupit militant  Hezbollah, dhe gjithashtu duke përdorur kalimet ajrore të Libanit për të sulmuar objektiva në Siri.

Libani dhe Izraeli mbeten ende teknikisht në gjendje lufte që prej konfliktit të viteve 2000. Në verën e vitit 2006 një luftë një-mujore u zhvillua mes militantëve Hezbollah në Liban dhe Izraelit.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA