Me rritjen e çmimit të ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë, mjaft investitorë e kthyen vëmendjen nga mallrat ushqimore gjatë kërkimit të tyre për tregje të sigurta. Por një lëvizje e tillë, sipas ekspertëve, mund t’i rrisë çmimet edhe më tej me pasoja të rënda për të varfërit, ndërsa investitorët vetë përpiqen të nxjerrin sa më shumë përfitim prej kësaj situate.
Goditjen e parë, çmimet e morën prej pandemisë që ndërpreu zinxhirët globalë të furnizimeve duke shkaktuar mungesa në të gjithë botën. Por agresioni rus në Ukrainë pas kësaj, bëri që çmimet të merrnin të përpjetën pasi të dy vendet e përfshira në këtë luftë janë furnizuesit botërorë kryesorë me prodhime bujqësore, si grurë dhe vaj luledielli.Investitorët që po përpiqen tani të fitojnë para nga kërkesa e lartë për ushqime dhe lëndë të tjera të para mund të shkaktojnë tani edhe më shumë presion mbi çmimet.
OJQ-ja e gazetarëve investigativë “Lighthouse Reports” shkruan se pas shpërthimit të luftës në muajin shkurt investitorët kanë injektuar rreth 1.2 miliardë dollarë në dy bursat kryesore të tregtisë së mallrave bujqësore, ndërsa në vitin 2021 investitorët kishin hedhur në këto bursa vetëm 197 milionë dollarë.
Sipas portalit të lajmeve The Wire, tregu i grurit të bluar në Paris, pikë referimi për Evropën, ka shënuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të investitorëve që kanë blerë aksione spekulative, qëllimi kryesor i të cilëve është të nxjerrin fitime duke blerë kontratat e ardhshme të tregtisë së grurit. Këtë pritje e pasqyron edhe bursa tregtare e Çikagos, një nga bursat kryesore të së ardhmes në botë.
Top Channel