Pas finales së madhe të Conference League, që u zhvillua të mërkurën në stadiumin “Air Albania”, aktivitetet sportive në Tiranë vijojnë këtë të diel me “Tiranathlonën”, një garë e jashtëzakonshme që përfshirë tre disiplina: not, pedalim dhe vrap.

Gara do të zhvillohet në Liqenin e Farkës dhe është një organizim i Bashkisë së Tiranës, ne bashkëpunim me Ambasadën e Greqisë në vendin tonë.

Për t’u kujdesur për të gjitha detajet, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e triathlonës, ku do të marrin pjesë atletë të njohur shqiptarë e të huaj.

Tiranathlon është një edicion i certifikuar për të treja kategoritë, do të jetë një garë profesioniste dhe na duhet që qytetin ta vendosim për pak orë në dispozicion të atyre që marrin pjesë. Gara e notit do të zhvillohet në Parkun e Farkës, po ashtu edhe dhjetë kilometrat e vrapit do të zhvillohen pa dalë nga parku, kurse gara prej 40 km në çiklizëm do të zhvillohet në një pjesë të qytetit, prandaj na duhet pak ndihmë nga Policia e Shtetit, Policia Rrugorë, Policia Bashkiake dhe grupet tona të logjistikës. Garuesit do të dalin nga Farka, në drejtim të Shkozës, do të përdoret i gjithë itinerari i Lanës, deri te Pallati me Shigjeta, për t’u kthyer sërish në park. Pra, nuk do të kemi kufizim masiv të qytetit, por vetëm në këtë pjesë dhe me interval të shkurtra kohore, teksa grupi i çiklistëve u afrohet kryqëzimeve në caktuara”, tha Veliaj.

Ai tha se hapja e kryqëzimeve do të kryhet gradualisht, që qyteti të mos e ndjejë në qarkullim, ndërsa qendra do të jetë Ditë pa Makina për t’u shijuar nga fëmijët dhe qytetarët. Veliaj shtoi se për triathlonën në Tiranë do të vijnë 15 delegacione, si nga Greqia ose SHBA, por edhe atletë nga Ukraina.

“Presim që në garë të marrin pjesë 500 atletë. Më vjen mirë që sot jemi në një situatë ku, pasja e aktiviteteve të tilla tregon se në Tiranë është investuar siç duhet. Nuk do të organizohej në Tiranë Kampionati Europian i Peshëngritjes, po mos kishim ndërtuar Parkun Olimpik. Nuk do të ishte bërë ndeshja finale e Conference League, po mos ishte ndërtuar stadium. Nuk do të kishim fan zonat, po mos ishin bërë Sheshi Skënderbej, Pedonalja apo po të mos ishte pastruar Parku i Liqenit. Nuk do ta bënim dot Triathlonën të dielën, po mos kishim bërë Liqenin e Farkës. Pra, nuk do t’i kishim gjithë këta turistë nëse nuk do të kishim bërë reformën në aeroporte dhe në porte. Nuk do kishim gjithë këtë numër shtretërish për turistët, që kalojnë netë në Tiranë, nëse nuk do të kishim infrastrukturë në hotele. Kush është ende kundër progresit, duhet të kuptojë se gjithë këto të mira vijnë prej progresit, jo prej regresit, vijnë prej punës jo prej bllokimit, vijnë prej vënies dorë, jo prej kulturës ‘mos ma prek këtë, mos ma prek atë’”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se shqiptarët dinë të bashkëpunojnë dhe të dalin faqebardhë në të tilla evente të mëdha. “Pra, ne shqiptarët bëkemi namin kur bashkëpunojmë, siç dolëm faqebardhë në organizimin e finales së UEFAs, dhe morëm vlerësimin me notën 10, duke filluar nga policia, te transporti, logjistika, siguria, zonat e tifozerive, mungesa e incidenteve, përveç disa ngjarjeve sporadike. Madje, kishte më shumë incidente në Roterdam, sesa në Tiranë ku u zhvillua ndeshja. U ndjeva vërtetë në siklet këtë javë kur holandezët dhe italianët flisnin shumë herë më mirë për ne, sesa ne për njëri-tjetrin”, tha ai.

Ditën e diel, gjatë zhvillimit të triathlonës, qyteti do të kufizohet përkohësisht vetëm gjatë garës së çiklistëve dhe vetëm në atë segment.

Top Channel