Mediat në Itali e Holandë i kanë bërë menjëherë jehonë përplasjeve të dhunshme të një nate më parë mes tifozërive të tyre në Tiranë.

12 tifozë holandezë  e 48 italianë u arrestuan mbrëmjen e së martës, shkruajnë gazetat në Holandë, sipas të cilave forcat e rendit kanë ndërhyrë për të ndaluar konfrontimin mes ultrasve të Feyenoord and AS Roma, që morën kthesë të dhunshme.

Të njëjtat shifra ndalimesh raportojnë dhe mediat italiane, që flasin dhe për 15 të lënduar, shumica efektivë, të goditur egërsisht me shishe, shkopinj, gurë e objekte të tjera nga tifozët holandezë në rrugën Mustafa Matohiti, ndërsa një grup tjetër tifozësh, këtë herë të Romës thotë Corriere della Sera iu drejtuan drejtorisë së policisë se Tiranes ku pati përplasje të tjera me forcat e rendit.

Në mesin e këtyre përplasjeve, shkruan ‘Gazzetta dell Sport’, del në dritë dhe një armë: në përpjekje duket për të trembur ultrasit e egërsuar, një polic u drejton pistoletën, çka shihet dhe nga pamjet e përcjella prej tyre.

Gjerësisht është pasqyruar po kështu në shtypin e fqinjit tonë përtej Adriatikut goditja me karrige e një shqiptari, i cili kishte shprehur mbështetje për ekipin Italian, e për këtë është sulmuar nga mbështetësit e Feyenoordit.

Paraditen e sotme, gjendja në Tiranë, ku është ndaluar qarkullimi i makinave private, është e qetë, vazhdojnë mediat italiane, dhe situata është nën kontroll. Por alarmi do të rikthehet përsëri më vonë, vazhdojnë ato, aq më tepër kur janë parashikuar të mbërrijnë nga Roma e Rotterdami edhe 8 mijë tifozë të tjerë.

Top Channel